Kastrati: Gjuha kundër pjesëtarëve të UÇK-së e turpshme

Ish-komandanti i UÇK-së, Kadri Kastrati, tha për rtv21 se gjuha e përdorur nga Kurti dhe zyrtarët e LVV-së kundër ish-komandantëve të UÇK-së nuk i bën nder Kosovës, por as vetë subjekteve politike. Sipas tij, qëllimi i pjesëtarëve të UÇK-së ka qenë çlirimi i Kosovës dhe, siç tha ai, etiketimet nga politikanët janë të turpshme.
“Është e papranueshme, shumë ofenduese dhe shumë e ulët që, si nga kryeministri në detyrë, ashtu edhe nga kushdo tjetër, krerët e UÇK-së dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës në përgjithësi të quhen me terma të ndryshëm. Gjithashtu, edhe në rrjetet sociale po shoh se çfarë po bëhet, duke i ofenduar njerëzit me etiketime të ndryshme. Kjo është shumë e ulët dhe nuk do të duhej të ndodhte. Unë apeloj te ata që udhëheqin shtetin, nga kryeministri te ministrat dhe deputetët, që po përdorin gjuhë ofenduese ndaj njerëzve të UÇK-së, të mos bëjnë gjëra të tilla, sepse nuk i bëjnë nder vetes dhe familjeve të tyre. Sot, 27 vjet pas luftës, të përdoret një fjalor i tillë jo vetëm që është e papranueshme, por është edhe e turpshme.”, tha ai./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?