Ja çfarë përmban projektligji për bisedime me Serbinë

Zyra e kryeministrit ka publikuar dokumentacionin zyrtar

Qeveria e Kosovës sot ka miratuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë në Bruksel.

Zyra e kryeministrit ka publikuar dokumentacionin zyrtar në të cilin janë detyrat dhe kompetencat e përcaktuara me ligj për përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet me palën serbe.

Kuvendi i Republikës së Kosovës,

Në mbështetje të Nenit 65 (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës,

Miraton:

LIGJ PËR DETYRAT, PËRGJEGJËSITË DHE KOMPETENCAT E DELEGACIONIT SHTETËROR TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS NË PROCESIN E DIALOGUT ME REPUBLIKËN E SERBISË

KREU I

DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 1

Fushëveprimi i ligjit

1. Ky ligj përcakton hierarkinë institucionale dhe procedurën vendimmarrëse në Procesin e Dialogut me Republikën e Serbisë (tutje: Dialogu). Po ashtu, rregullon funksionimin e Delegacionit Shtetëror të Republikës së Kosovës për Dialogun me Serbinë (tutje: Delegacioni Shtetëror), duke përcaktuar strukturën organizative, veprimtarinë, kompetencat dhe përgjegjësitë e Delegacionit Shtetëror. Mes tjerash, ligji definon qartë edhe ndërlidhjen që Delegacioni Shtetëror mbanë me institucionet tjera kushtetuese të Republikës së Kosovës.

2. Ky ligj e ka statusin e Lex Specialis. Në rast të kolizionit të ndonjë dispozitë tjetër ligjore me këtë ligj do të mbizotërojnë nenet e këtij ligji.

Neni 2

Synimi dhe qëllimi

Në pajtim me këtë ligj, Delegacioni Shtetëtor i Republikës së Kosovës për Dialogun me Republikën e Serbisë autorizohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës për negociim dhe arritje të marrëveshjeve gjatë procesit të Dialogut, në konsultim me Institucionet Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Neni 3

Përkufizimet

1. Shprehjet e përdorura në ketë ligj kanë këto kuptime:

1.1. Dialogu – Faza përmbyllëse e Dialogut me Serbinë e cila fillon me mandatimin e Delegacionit Shtetëror me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Kjo marrëveshje gjithëpërfshirëse do të nënkuptojë njohje formale dhe reciproke mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

1.2. Ditë – ditët kalendarike.

1.3. Delegacion Shtetëror – Delegacioni Shtetëror i Republikës së Kosovës për Dialogun i cili mandatohet nga Kuvendi.

1.4. Shoqëria civile – një anëtar nga shoqëria civile, pjesë e Delegacionit Shtetëror me të drejtë vote.

1.5. Komisionet punuese – grupe përfaqësuese profesionale të themeluara nga Delegacioni Shtetëror në përshtatshmëri me temat që trajtohen gjatë procesit negociator.

1.63. Komision Ad Hoc Parlamentar për Mbikëqyrjen e Dialogut – organ i ngritur me vendim të Kuvendit në pajtim me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

KREU II

DISPOZITAT THEMELORE

THEMELIMI I DELEGACIONIT SHTETËROR, PËRBËRJA, KOMISIONET PUNUESE, KOMISIONIT MBIKËQYRËS PARLAMENTAR

Neni 4

Procedura për ngritjen e Delegacionit Shtetëror

Delegacioni Shtetëror për dialogun me Republikën e Serbisë do të mandatohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Delegacioni Shtetëror do të jetë organi i vetëm i autorizuar për ta drejtuar Dialogun. Në këtë drejtim Delegacioni konsultohet me Institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Neni 5

Përbërja e Delegacionit Shtetëror

1. Delegacioni Shtetëror përbëhet nga njëmbëdhjetë anëtarë (12). Delegacioni përbëhet nga përfaqësues të koalicionit qeverisës dhe të Opozitës, në proporcion sa më të përafërt të përfaqësimit. Diferenca e përgjithshme e anëtarëve në proporcionin Qeveri-Opozitë në kuadër të Delegacionit nuk mund të jetë më shumë se dy (2) anëtar i Delegacionit Shtetëror.

2. Nominimet për anëtarë të Delegacionit Shtetëror bëhen nga përfaqësues të partive parlamentare në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në rast se një parti parlamentare nuk i përgjigjet kërkesës me kohë, Kuvendit i propozohen nominimet e bëra nga parti të tjera parlamentare. Në rast të tillë, pozitat e pa-nominuara plotësohen nga përfaqësues të këtyre partive duke ruajtur proporcionin e paraprarë të përfaqësimit Qeveri-Opozitë.

3. Delegacioni Shtetëror bashkëdrejtohet barabarësisht prej (dy) përfaqësuesve: njëri nga radhët e Opozitës parlamentare e tjetri nga Koalicioni Qeverisës. Që të dy bashkëdrejtuesit votohen nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, së bashku me anëtarët e tjerë të Delegacionit Shtetëror.

4. Pjesë e Delegacionit Shtetëror do të jetë edhe një përfaqësues nga Shoqëria Civile i cili/e cila do të jetë anëtar i rregullt i Delegacionit Shtetëror. Përfaqësuesi i shoqërisë civile do të emërohet nga Delegacioni Shtetëror.

5. Delegacioni Shtetëror me përbërjen e tij votohet nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe konsiderohet i mandatuar kur i merr shumicën e thjeshtë të   votave të deputetëve.

6. Kuvendi i Republikës së Kosovës rezervon të drejtën ta shkarkojë Delegacionin, ose anëtarët e caktuar të tij, me 50%+1, të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

8. Delegacioni Shtetëror mund të shkarkohet kur:

7.1. Nuk i përmbush detyrat dhe përgjegjësitë e caktuara me këtë ligj;

7.2. Nuk i përgjigjet Komisionit Mbikëqyrës të Dialogut në së paku 3 ftesa;

7.3. Evidentohen shkelje të procedurave të vendosura me këtë ligj;

7.4. Evidentohen shmangie nga Platforma Shtetërore gjatë procesit të Dialogut.

7.5. Kërkesën për shkarkim të Delegacionit shtetëror, ose të anëtarëve të veçantë të tij, mund ta paraqesin Bashkëdrejtuesit e Delegacionit, si dhe 1/3 e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Neni 6

Shoqëria Civile në Delegacionin Shtetëror

1. Përfaqësuesi i shoqërisë civile në Delegacionin Shtetëror propozohet dhe emërohet me koncensus nga Bashkëdrejtuesit e Delegacionit.

2. Në rast të mos-dakordimit koncensual mes bashkëdrejtuesve për emërimin e përfaqësuesit të Shoqërisë Civile, ai/ajo do të propozohet dhe do të emërohet me 2/3 e votave të Delegacionit Shtetëror. Shkarkimi i tij/saj bëhet me procedurë të njëjtë me atë që zbatohet gjatë zgjedhjes.

Neni 7

Themelimi i Komisioneve Punuese

1. Komisionet Punuese themelohen nga Delegacioni Shtetëror.

2..Komisionet janë përgjegjëse për zhvillim të negociatave për temat e veçanta, në bazë të Platformës Shtetërore dhe Strategjisë së miratuar nga Delegacioni shtetëror.

3. Komisionet Punuese përbëhen nga përfaqësues politikë të deleguar nga partitë politike parlamentare, si dhe nga ekspertë përcjellës të fushave përkatëse të komisioneve.

4. Delegacioni Shtetëror vendos për numrin e Komisioneve Punuese duke u bazuar në Platformën Shtetërore, agjendën e Dialogut dhe Strategjinë Negociuese të Delegacionit.

5. Delegacioni Shtetëror gëzon të drejtën ekskluzive të shuarjes së ndonjë komisioni përkatës kur konsideron se një i tillë pushon së qeni i nevojshëm.

6. Themelimi apo shuarja e një komisioni bëhet me propozim të Bashkëdrejtuesve të Delegacionit Shtetëror dhe me vota të anëtarëve të Delegacionit.

7. Pavarësisht numrit të komisioneve punuese, pozitat drejtuese do të ndahen barabarësisht mes Koalicionit Qeverisës dhe Opozitës sipas proporcionit 50/50.

Neni 8

Komisioni Ad Hoc Parlamentar për Mbikëqyrjen e Dialogut

1. Komisioni Ad-hoc Parlamentar për Mbikëqyrjen e Dialogut do të themelohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në pajtim me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së   Kosovës. Ai do të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha subjekteve parlamentare dhe do të plotësohet me anëtarë vëzhgues të përzgjedhur nga shoqëria civile.

2. Komisioni Ad-hoc Parlamentar për Mbikëqyrjen e Dialogut do të udhëhiqet nga një përfaqësues i partive opozitare, pjesëmarrëse në procesin e Dialogut.

3.Komisioni Ad-hoc Parlamentar për Mbikëqyrjen e Dialogut përbëhet nga njëmbëdhjetë anëtarë (11).

4. Pas themelimit tw Komisionit, Kryesia e Kuvendit e shqyrton dhe e miraton buxhetin e propozuar nga komisioni.

KREU III

FUNKSIONIMI, KOMPETENCAT, VENDIMARRJA

Neni 9

Funksionimi i Delegacionit Shtetëror

1. Delegacioni Shtetëror i mandatuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës funksionon sipas dokumenteve themelore në vijim:

1.1. Platformës Shtetërore, dhe

1.2. Strategjisë Negociuese të   Delegacionit Shtetëror.

Neni 10

Kompetencat e Delegacionit Shtetëror

1.Bashkëdrejtuesit janë përfaqësues të Delegacionit Shtetëror.

2. Delegacioni Shtetëror nuk mund ta udhëheqë ose përfaqësojë vetëm njëri nga bashkëdrejtuesit.

3. Delegacioni Shtetëror është organi i vetëm që mban të drejtën për publikimin dhe procedimin e marrrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut.

4. Delegacioni Shtetëror:

4.1. Drejton procesin e dialogut me Serbinë;

4.2. Përfaqëson Republikën e Kosovës në Dialog;

4.3. Miraton Strategjinë e përgjithshme Negociuese si dhe strategjitë e veçanta për temat e Dialogut;

4.4. Bashkërendon agjendën e Dialogut me Platformën Shtetërore në dakordancë me lehtësuesit/ndërmjetësuesit e Dialogut;

4.5. Bashkërendon takimet me krerët e tjerë institucionalë (President, Kryeministër, Kryetar i Kuvendit, Ministra etj.) kurdo që e konsideron të nevojshme mbajtjen e tyre;

4.6. I raporton Komisionit Mbikëqyrës të Kuvendit pas çdo takimi me delegacionin e Republikës së Serbisë, dhe/ose me lehtësuesit/ndërmjetësuesit e Dialogut;

4.7.Miraton pozicionet fillestare negociuese të Republikës së Kosovës për secilën temë të Dialogut;

5. Delegacioni Shtetëror koordinon veprimet me institucionet e tjera kushtetuese që ndërlidhen me procesin e dialogut.

Neni 11

Raporti i Delegacionit Shtetëror me Institucionet Kushtetuese

1. Institucionet Kushtetuese të Republikës së Kosovës do të angazhohen në Dialog sipas mandatit të tyre kushtetues dhe gjithnjë me bashkërendim dhe me dakordim në mes të instituticioneve përkatëse të Republikës së Kosovës dhe Delegacionit Shtetëror.

2. Në rastet kur ndonjërit nga Institucionet Kushtetuese të Republikës së Kosovës (Presidenti, Kryeministri, Kryeparlamentari, etj.) i dërgohet ftesë formale nga ana e ndërmjetësuesit në procesin e Dialogut, vendimi për të do të merret gjithnjë në bashkërendim dhe dakordim në mes të Delegacionit Shtetëror dhe institucionit kushtetues të ftuar. Në çdo takim të tillë, përveç institucionit të ftuar të pranishëm do të jenë edhe bashkëdrejtuesit e Delegacionit Shtetëror.

3. Cfarëdo veprimi i institucioneve të Republikës së Kosovës në raport me Republikën e   Serbisë duhet të bashkërendohen dhe të miratohen dyanshëm në mes instituticioneve të Republikës së Kosovës dhe Delegacionit shtetëror.

4. Të gjitha Institucionet Kushtetuese të Republikës së Kosovës obligohen që t’i vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin e prodhuar gjatë procesit të deritashëm të Dialogut Teknik, si dhe t’i mundësojnë të gjitha resurset e nevojshme sipas kërkesave së Delegacionit Shtetëror.

Neni 12

Kompetencat administrative të bashkëdrejtuesve dhe Delegacionit Shtetëror

1. Bashkëdrejtuesit e Dialogut do ta themelojnë Zyrën e Koordinatorit Administrativ të Dialogut. Me propozim të bashkëdrejtuesve, Koordinatori zgjidhet me votën e 2/3 të gjithë anëtarëve të Delegacionit Shtetëror.

2. Funksionimi i Zyrës së Koordinatorit Administrativ rregullohet me akt të veçantë nënligjor i cili miratohet nga Delegacioni Shtetëror.

Neni 13

Vendimmarrja në Delegacionin Shtetëror

1. Mbledhjet e Delegacionit Shtetëror mbahen nëse të pranishëm janë 50% +1 të anëtarëve të tij.

2. Vendimet në Delegacionin Shtetëror merren me unanimitet, pajtueshmëri të të gjithë anëtarëve të tij.

3. Nëse pas dy tentimeve për vendimmarrje dëshmohet se unanimiteti është i pamundshëm, një vendim konsiderohet i miratuar kur i fiton votat e dy të tretave (2/3) të   të gjithë anëtarëve të pranishëm.

4. Nëse para, dhe gjatë një mbledhjeje, të Delegacionit Shtetëror konstatohet mungesa e kuorumit, Bashkëdrejtuesit e ndërprejnë mbledhjen për një kohë të caktuar. Nëse brenda kësaj kohe nuk arrihet kuorumi, Bashkëdrejtuesit përfundojnë mbledhjen dhe thërrasin mbledhje tjetër brenda një afati jo më të gjatë se dy (2) ditë.

Neni 14

Mbledhjet e Delegacionit Shtetëror

1. Mbledhja e parë konstituive e Delegacionit Shtetëror thirret nga Bashkëdrejtuesit jo më vonë se shtatë (7) ditë nga data e marrjes së vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës për themelimin e Delegacionit Shtetëror.

2. Me kërkesë të shumicës së nevojshme (50%+1) të anëtarëve të Delegacionit Shtetëror, njëri nga Bashkëdrejtuesit obligohet të thërret mbledhje të Delegacionit Shtetëror për datën e kërkuar nga anëtarët propozues.

Neni 15

Diskrecioni publik dhe ruajtja e të dhënave

1. Mbledhjet e Delegacionit Shtetëror janë të mbyllura, përveç në raste kur Delegacioni vendos për seancë të hapur.

2. Delegacioni Shtetëror mund të vendosë për mbledhje të hapur me shumicë të thjeshtë të votave të anëtarëve të tij.

3. Kërkesën për mbledhje të hapur mund ta bëjë një (1) anëtar i pranishëm i Delegacionit.

4. Vendimi për mbledhje të hapur bëhet i ditur nga njëri ose dy Bashkëdrejtuesit e Delegacionit.

5. Mbledhjet e Delegacionit Shtetëror incizohen vetëm përmes mjeteve elektronike zyrtare të Kuvendit dhe ruhen si sekret zyrtar, përveç nëse Delegacioni vendosë ndryshe.

6. Anëtarët e Delegacionit Shtetëror dhe stafi mbështetës obligohet ta ruajë sekretin e informacionit dhe të ecurisë së punës së Delegacionit.

7. Shkelja e këtij neni, do të sanksionohet sipas Ligjit përkatës.

KREU IV

DISPOZITAT E TJERA

Neni 16

Administrata e Delegacionit Shtetëror

1. Administrata e Delegacionit Shtetëror ofron mbështetje administrative dhe teknike për nevoja të Delegacionit, të Komisioneve Punuese dhe të anëtarëve individualë të Delegacionit Shtetëror.

2. Koordinatori Administrativ i Delegacionit Shtetëror është udhëheqës i administratës së Delegacionit në vartësi të bashkëdrejtuesve dhe të Delegacionit Shtetëror.

3. Organizimi i punës së shërbimeve të administratës së Delegacionit Shtetëror, si dhe të drejtat dhe obligimet e tjera, rregullohen me akt të veçantë nënligjor të cilin e miraton Delegacioni me propozim të Koordinatorit Administrativ.

Neni 17

Buxheti i Delegacionit Shtetëror

1. Për veprimtarinë e tij, Delegacioni Shtetëror e ka fondin e veçantë të miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës me propozim të Delegacionit.

2. Delegacioni Shtetëror menaxhon në mënyrë autonome me buxhetin e caktuar nga Qeveria dhe paraqet raport sipas nevojave të Qeverisë dhe Kuvendit.

Neni 18

Dispozitat përfundimtare

Delegacioni Shtetëror mund të nxjerr rregulla të brendshme sipas nevojës, të cilat nuk mund të jenë në kundërshtim me ketë ligj.

Neni 19

Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.

Kadri Veseli

_______________________________

Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovë

Back to top button