Japonia ndihmon Kosovën me rreth 810 mijë euro

 

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla dhe Ambasadori Jorezident i Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani, sot nënshkruan marrëveshjen e donacionit të radhës të qeverisë japoneze dedikur Kosovës.

Nënshkrimi i marrëveshjes me vlerë prej 100 milionë Yen (rreth 810.000 Euro), u bë në ambientet e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.

Haradinaj Stublla e falënderoi ambasadorin Mizutani për mbështetjen që Japonia i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetëndertimit, duke filluar me njohjen e pavarësisë një muaj pas shpalljes së saj, mbështetjen për anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe ndihma për zhvillimin ekonomik.

“Jemi pa masë falënderues për shtetin e Japonisë, i cili është gjetur pran nesh edhe gjatë kësaj kohe të vështirë të pandemisë. Marrëveshja e sotme është kontribut për implementimin e Programit mbi Zhvillimin Ekonomik dhe Social, që do të implementohet me blerje të pajisjeve mjekësore”, tha Ministrja Haradinaj Stublla.

Kryediplomatja e Kosovës tha se përmes kësaj ndihme, Japonia do të kontribuojë për të përmirësuar sistemin shëndetësor të Kosovës si dhe do të sigurojë përmiresimin e infrastrukturës së punës për stafin mjekësor, në mënyrë që të rritet efikasiteti në menaxhimin e sëmundjeve infektive.

Ambasadori Mizutani nga ana e tij tha se Japonia po e mbështet Kosovën në luftën kundër COVID-19 dhe për përmirësimin e sistemit shëndetësor, me pajisje të reja mjekësore, të kompanive japoneze.

Ai tha se meqë rritja e vazhdueshme e pacientëve me COVID-19 paraqet barrë të madhe për sistemin shëndetësor në Kosovë, Japonia ka vlerësuar se është me rëndësi jetike forcimi i këtij sistemi.

“Përmes këtij granti, Japonia ka siguruar pajisje mjekësore të tilla si sistemi portativ i diagnostikimit të imazhit me ultratinguj dhe monitorët e pacientëve pranë shtratit të prodhuara nga ndërmarrjet japoneze”, tha Ambasadori Mizutani.

Marrëveshja e sotme Kosovë – Japoni hyn në fuqi në datën e nënshkrimit./21Media

Back to top button