Jarinjë, kontrolle speciale para vizitës së Bërnabiq
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, sot do të vizitojë komunat e zonës veriore të Kosovës.
Në Jarinjë janë parë forca të shtuara të sigurisë, madje aty është parë edhe ekipi i K-9 duke e kontrolluar zonën.
Bërnabiq do ta fillojë vizitën njëditore në Mitrovicë të Veriut, e shoqëruar nga drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyrës për Kosovë’, Petar Petkoviq dhe drejtori i Zyrës për IT dhe e-Qeverisje, Mihail Jovanoviq. Kjo është edhe vizita e saj e parë zyrtare në Kosovë, prej se është bërë kryeministre e Serbisë.
Kryeministrja e Serbisë do arrijë në Mitrovicë të Veriut në mëngjes, ku do të vizitojë qendrën e parë multimediale në veri si dhe Akademinë Shpirtërore.Pas kësaj, siç është paralajmëruar, është paraparë vizita e saj në manastirin e Banjskës në Komunën e Zveçanit.
Bërnabiq më pas do të vizitojë familjen në vështirësi sociale të vëllezërve Radosavljeviq në Leposaviq, të cilët zyrtarisht janë duke u zhvendosur në shtëpinë e re, e cila është ndërtuar nga Qeveria e Republikës së Serbisë.
Vizitën e saj në komunën e Leposaviqit, siç ishte paralajmëruar, kryeministrja do ta përfundojë me një xhiro nëpër ferma familjare, thuhet tutje në raportimin e Kossev.
Në deklaratën e të ashtuquajturës ‘Zyrës për Kosovë dhe Metohi’, theksohet se vizita e kryeministres serbe është paralajmëruar dje, më 1 shtator, 72 orë para vizitës, në përputhje me Marrëveshjen për Vizita Zyrtare.“Vizita e kryeministres së Republikës së Serbisë, Ana Bernabiq, në Kosovë ka për qëllim të përcjellë mesazhe për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, ku rruga e vetme për të arritur mbijetesën e serbëve në Kosovë” – thuhet në njoftim./kallxo