Jasharaj: Qeveria përveç talljeve s’ka bërë asgjë për t’i realizuar kërkesat e grevistëve

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jasharaj, ka thënë se Qeveria vazhdon të barrikadohet dhe të ketë qëndrim të ngurtë karshi kërkesave BSPK-së.
Jasharaj tha se kjo është parë edhe nga publiku.
Jasharaj ka thënë se nuk kanë pranuar ndonjë ftesë të re nga Qeveria për dialog, derisa tregoi se dje këshilli grevistë i BSPK-së, ka takuar Avokatin e Popullit i cili po angazhohet si një lloj ndërmjetësuesi në mes sindikatave dhe Qeverisë.
“Ai është angazhuar që të jetë një lloj ndërmjetësuesi, mirëpo nga bisedat që e kishim ne, ato që i tha ai, shihet se Qeveria vazhdon të barrikadohet, vazhdon të ketë qëndrim të ngurtë karshi kërkesave tona dhe kjo na bënë të jemi në këtë situatë që jemi. Ne jemi vazhdimisht në kontakt me anëtarësinë tonë, takimet me kryetarë të nivelit komunal dhe të universiteteve, pastaj jem në takime, kolegun tim atje edhe me kryetarin shërbyes civil është takime me ta, pasi që qeveria nuk ka thënë asgjë të re, grevistët janë në të njëjtën pozicion fatkeqësisht”, ka thënë ai.
Ai ka fajësuar qeverinë për mosangazhim të realizimit të kërkesave të tyre, i cili e konsideron takimin eventual si shfrytëzim për të ironizuar e jo për të rregulluar çështjen.
“Ne nuk kemi barrikaduar fare, ne këto kërkesa i kemi qe nëntë muaj, Qeveria përveç deklaratave ironike nuk ka bërë asnjë milimetër angazhim për ti realizuar kërkesat tona, madje edhe mediat dhe publiku e pa takimin eventual e shfrytëzojnë për të ironizuar se sa për të rregulluar çështjen, është në dorën e qeverisë dhe ka mjete ka, mundësi që ta përfundoj këtë situatë duke realizuar kërkesat tona e jo ta shfrytëzoj ndonjë takim të rrallë për të nxjerr ndonjë fjali brenda konteksti e për t’u tallur me mua apo me cilindo nga ne. Një qeveri serioze duhet të dëshmohet se është serioze e jo të tallet, por ta bëjë punën e saj”, theksoi ai.
Ndërsa sa i përket draft-ligjit për pagat e mësimdhënësve, ai ka thënë se nuk ka asgjë të qartë në këtë ligj, derisa ka thënë se Qeveria nuk është duke e treguar vlerën e koeficientit.
“Pikërisht para grevës u tha se doli (draft ligji) pastaj këta e publikuan, asgjë të qartë në këtë ligj nuk është. Ne kemi një komision më profesionalistë nga fusha e ekonomisë dhe ata janë duke analizuar dhe besoj do ta japin vlerësimin e tyre. Atë që e them si kryetar i SBAShK-ut, është që çështjet janë shumë të paqarta, ngase askush nga qeveria nuk e thotë saktë dhe zyrtarisht sa do të jetë vlera e koeficientit, sepse çfarë do koeficient që të shkruhet, ata janë vetëm numra pa u argumentuar me vlerën e koeficienteve. Në këtë situatë që jemi, ne mund t’i shohim koeficientet të cilët edhe mund të ndryshojnë gjatë rrugëtimit të ligjit por askush nuk e di sa do të jetë saktë paga e dikujt ngase nuk e dimë vlerën e koeficientit”, shtoi Jasharaj.
Jasharaj shprehet i shqetësuar për draft-ligjin, pasi ai ka thënë se në këtë mënyrë siç është punuar, ka rrezik të shkojë në Kushtetutë.
“Ata luajnë me këtë koeficient dhe kjo është bërë të krijohet një situatë kur do të thoshin se çfarë page. Nganjëherë përmendet 120 por në takime me ne, asnjëherë nuk kanë qenë në gjendje të thonë prerazi sa do të jetë vlera e koeficientit. Thotë se pas publikimit në gazetën zyrtare, do të duhet edhe tetë muaj për t’u vënë në jetë ky ligj, edhe ekspertë që e njohin mirë këtë lëmi kanë dyshime se edhe ky projektligj i punuar në këtë mënyrë, ka rrezik të shkoj në Kushtetuese dhe të kthemi prapë në pikën zero. Është shumë e natyrshme që Qeveria jonë të na ndaj deri atëherë nga 100 euro që të përballemi me sulmet e vazhdueshme të çmimeve”, ka shtuar Jasharaj.
Bashkimi i sindikatave të Pavarura të Kosovës nga data 25 gusht ka nisur grevën në sektorin publik. Ata po kërkojnë hartim dhe hyrje në fuqi sa më shpejt të Ligjit të pagave, plotësim-ndryshimin e ligjit mbi skemat pensionale dhe pagesë 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave./Kp

Back to top button