Nagavci sërish fton mësimdhënësit që ta nisin mësimin

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ka ripërsëritur thirrjet ndaj mësimdhënësve që të fillojnë mësimin nëpër shkolla.
Nagavci ka ftuar mësimdhënësit që të japin kontributin e tyre me komente e sugjerime në Projekligjin e ri për paga.
“Do të jemi gjithmonë pranë mësimdhënësve dhe punëtorëve tjerë të arsimit për të tejkaluar çdo vështirësi dhe së bashku të kujdesemi që fëmijëve tanë t’ju ofrojmë arsimim cilësor”, ka thënë Nagavci.
Ajo ka thënë se me Projekligjin e ri për Paga punëtorët e arsimit për herë të parë po trajtohen dinjitetshëm me ligj dhe do të kenë koeficientin më të lartë se që e kanë pasur ndonjëherë.
“Në ligjin për paga të anuluar nga Gjykata Kushtetuese, paga bazë e një mësimdhënësi të shkollës së mesme të lartë ka qenë sa 26% të pagës më të lartë në vend, ndërsa me projektligjin e ri është 32% e pagës më të lartë; paga e një mësimdhënësi në arsimin fillor dhe të mesëm të ulët ka qenë 23-24.5% e pagës më të lartë, ndërsa tani është 31%; etj. Pra, punëtorët e arsimit jo vetëm që janë trajtuar dinjitetshëm, por edhe është përmirësuar pozicionimi i atyre që ishin diskriminuar me ligjin e kaluar. Nuk ka më lënie anash të mësuesve klasorë 1-5 dhe pagë më e ulët për ta, sikur edhe për sekretarët, bibliotekistët, psikologët e pedagogët në shkolla, të cilët ishin trajtuar në mënyrë jo të mirë në ligjin e fundit. Projektligji për pagat në sektorin publik tashmë është në dëgjim publik“, ka shkruar Nagavci në Facebook.
Ajo ka thënë se ky Projektligj ofron shumë më shumë se ajo më të cilën ishin pajtuar përfaqësuesit e SBASHK-ut në ligjin e fundit./21Media

Back to top button