Jasharaj: Të mos lejojmë që Kosova të kthehet në shtet diktatorial
Kryetari i SBAShKU-t, Rrahman Jasharaj, pas takimit me kreun e PDK-së, Memli Krasniqin, kërkoi nga partitë opozitare që të bashkohen dhe të mos lejojnë që Kosova të shndërrohet në shtet diktatorial.
Jasharaj tha se duhet të gjithë të bëhen bashkë, më qëllim që Kosova mos të kthehet në një vend diktatorial. Ai po ashtu tha se tendencat janë që të shtypen e të heshtën sindikatat.
“Është mirë që të gjithë të bëhemi bashkë që të mos lejojmë që Kosova të kthehet në një shtet diktatorial. Tendencat janë që të shtypen e të heshtën sindikatat, e kur sindikatat janë të shtypura dhe të heshtura, atëherë nuk ka shtet demokratik… Nuk e ka askush të drejtën që Kosovën ta dërgojë deri këtu, e nesër ta dërgojë edhe më keq”, tha Jasharaj.
Mirëpo, kreu i PDK-së ka garantuar se Kurti nuk do të lejohet që ta shndërrojë Kosovën në shtet diktatorial ndërsa shtoi se nëse nuk ndodh dialogu deri javën e ardhshme, atëherë do të iniciojnë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme, në mënyrë që të gjendet zgjidhje.
Që nga 25 gushti, në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës. Kërkesa kyçe e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?