Krasniqi – Qeverisë: Nëse nuk i ekzekutoni pagat, iniciojmë seancë të jashtëzakonshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se kërkesat e sindikatave janë legjitime. Pas takimit me kreun e SBASHK-ut, Krasniqi ka thënë se Qeveria duhet t’i kthehet dialogut, të gjejë zgjidhje për punëtorët që janë në grevë dhe të merret me kërkesat e tyre.
Krasniqi tha se nëse deri në fillim të javës së ardhshme Qeveria nuk ekzekuton pagat e muajit gusht, do t’i kthejnë deputetët në Kuvend për të iniciuar seancë të jashtëzakonshme për këtë çështje.
“Nëse një gjë e tillë nuk ndodhë deri në fillim të javës së ardhshme, ne do të iniciojmë kthimin e deputetëve në Kuvendin e Kosovës, do të inicojmë mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për të marrë veprime të tjera, të cilat do të mundësojnë kthimin e ligjshmërisë në këtë vend. Le ta din Albin Kurti që kurrë nuk ka me guxu as nuk ka me u leju me e kthy Kosovën në diktaturë”, theksoi kryetari i PDK-së.
Ndërsa, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj tha se takimi me liderët e partive politike parlamentare, vjen si rezultat i pamundëisë së dialogut me Qeverinë Kurti për 9 muaj radhazi.
“Është mirë që të gjithë të bëhemi bashkë dhe të mos lejojmë që Kosova të kthehet në një shtet diktatorial. Veprimet e tilla kanë tendencë që të shtypen dhe të heshten sindikatat. Kur sindikatat janë të shtypura dhe të heshtura, atëherë një shtet nuk mund të jetë demokratik”, tha Jasharaj.
Në grevë, përveç punëtorëve të arsimit janë edhe shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës nga 25 gushti.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat./21Media

Back to top button