Jashari: Familja jonë u vetëflijua për lirinë e Kosovës

Homazhe në në kompleksin memorial

Në përvjetorin e 12 të pavarësisë së Kosovës homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz ka bërë edhe kryetari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari i shoqëruar edhe nga kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci.

I pari i Komunës së Skënderajt, Bekim Jashari tha se populli i Kosovës ka vuajtur shumë për të festuar këso ditë si këtë të pavarësisë së Kosovës.

Bekim Jashari i cili është edhe djali i heroit, Hamëz Jashari tha se flijimi i familjes së tij ishte me vetëdije vetëm që Kosova të ishte e lirë.

“Sot jemi në 12-vjetorin e shpalljes të pavarësisë, shtetit tonë të shumëvuajtur të këtij populli të pritjes me shekuj për ketë ditë. Këtë vit jemi edhe në prag të 21-vjetorit të çlirimit dhe 22-vjetorit të familjes Jashari. Nj ë rënie një vetëflijim me vetëdije që ne sot jemi të lirë. Ne sot kemi një obligim ta forcojmë dhe ta ndërtojmë këtë shtet por vetëm të bashkuar mund ta bëjmë këtë gjë”, tha ai.

Kurse, kreu i Drenasit, Ramiz Lladrovci tha se dita e sotme nuk është e kobshme, por rënia e familjes Jashari është ngjarje heroike që i bënë krenarë të gjithë.

Ndërsa, kryetari i Organizatës së Veteranëve dhe Luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati duke uruar të gjithë qytetarët e Kosovës 12-vjetorin e pavarësisë së Kosovës tha se Prekazi dhe familja Jashari janë të shenjtë për Kosovën dhe popullin shqiptar.

Back to top button