Jashari: Luftën e fituar me gjak po e humbim sepse nuk e mbrojtëm kurrë që nga paslufta

Anëtari i familjes Jashari, Bekim Jashari ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës Speciale për dënimin me 26 vjet burgim ndaj Salih Mustafës.
Jashari ka thënë se vendimi i Gjykatës Speciale për Salih Mustafën është pasojë e vendimeve të marra nga deputetët nga njëra anë dhe propagandave serbe nga ana tjetër.
“Kjo është dëshmi që lufta jonë ende nuk ka përfunduar, luftën e fituar me gjak, falë dëshmorëve, martirëve e luftëtarëve të lirisë sot po e humbim fatkeqësisht dhe kjo pasi nuk e mbrojtëm kurrë që nga paslufta. Vendimi i sotëm i Gjykatës Speciale është pasojë e vendimeve të marra nga të zgjedhurit tonë në njerën anë dhe propagandave serbe që nuk u ndalën asnjëherë kundër nesh përderisa ne dhe “akademikët” tonë nuk bëjmë sa duhet në dokumentimin e luftës sonë të drejtë”, ka thënë Jashari.
Jashari ka bërë thirrje për unitet. “Kjo që po ndodhë sot a është e mjaftueshme për t’i bindur udhëheqësit tonë për unitet apo duhet të shpallemi kriminelë për të na bërë bashkë kundër misioneve që dëshirojnë dështimin e shtetit tonë”.
“Sot të gjithë jemi UÇK, sot nuk duhet të jemi të asaj apo kësaj partie, sot është vonë për të mos u bërë e pamundur nesër, në mbrojtje të luftës sonë çlirimtare të njohur nga aleatët tonë nderkombëtar. Gjykata Speciale nuk mund të dënojë ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa – Cali në emër të popullit të Kosovës sepse populli i Kosovës është vet UÇK-ja. Ai po dënohet në emër të misioneve serbo-sllave për të barazuar krimin me viktimën, pra kriminelët e Serbisë që edhe sot shetitin lirshëm po tentojnë t’i barazojnë me çlirimtarët tonë. Turp!”, ka shkruar Bekim Jashari në Facebook.
Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 26 vjet burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën. Ai është shpallur fajtor për veprat: vrasje e paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar./21Media

Back to top button