Kurti: E papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal

Kryeministri i vendit, Albin Kurti e ka quajtur të papranueshëm dënimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, nga Gjykata Speciale.
Kurti ka thënë se Mustafa ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për ta çliruar vendin e vet. Ai, verdiktin e Speciales, e ka quajtur indinjues.
“Masakruesi i familjes Bogujevci, Duriqi e Llugaliu, i cili vrau 16 civilë shqiptarë të papërfshirë në luftë, anëtari i njësitit famkeq që mori pjesë edhe në Masakrën e Srebrenicës ‘’Shkorpjonët’’, Sasha Cvjetani, u pat dënuar me vetëm 20 vite. Ai madje ishte liruar në vitin 2018, 3 vite e gjysmë para përfundimit të dënimit për siç thuhej “sjellje të mirë’’, edhe pse ka vrarë fëmijë që kanë qenë duke fjetur. Sasha Cvjetani ka qenë pjesë e rezervistëve të Serbisë, që u angazhuan për gjenocid në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë. Ndërkohë vetëm dje e kuptuam që ai para ca ditësh është arrestuar në Athinë të Greqisë si pjesë e një karteli të drogës. Ndërkohë ka mijëra vrasës nga Serbia që kurrë nuk janë dënuar e as gjykuar për mizoritë që i kanë bërë në Ballkan. Vetëm 26 serbë janë dënuar për mbi 12.000 të vrarë dhe mbi 20.000 të dhunuar seksualisht në Kosovë. I bie që secili prej të dënuarve serbë mesatarisht të ketë vrarë mbi 462 shqiptarë dhe të ketë dhunuar 770 syresh. E megjithatë ata kanë marrë dënime shumë më të lehta se ai që iu dha sot Salih Mustafës, i cili ka luftuar jo për të pushtuar ndonjë vend tjetër, por për të çliruar vendin e vet”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurti ka thënë se mbetet me shpresën se institucionet e pavarura të drejtësisë do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit.
“Ky verdikt është indinjues. Cili është mesazhi që i jep ky verdikt ukrainasve që sot luftojnë kundër agresorit?
Mbetem me shpresën se institucionet e pavarura të drejtësisë do ta kuptojnë padrejtësinë dhe do të reflektojnë në shkallët e tjera të gjykimit. Lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale. Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal. Sot e gjithmonë jemi solidarë me luftëtarët dhe me UÇK-në tonë”, ka shkruar tutje Kurti.
Gjykata Speciale e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 26 vjet burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafën.
Ai është shpallur fajtor për veprat: vrasje e paligjshme, torturë dhe ndalim arbitrar./21Media

Back to top button