Jashari: Skenderaj po pastrohet nga bora, sikurse nga llumi i njerëzve

Reagimi i Jasharit

Kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka bërë të ditur se janë duke punuar intensivisht për pastrimin e rrugëve, për të mundësuar qarkullimin e njerëzve dhe automjeteve.

Në një postim në Facebook, Jashari ka shkruar se Skenderaj po pastrohet nga bora, sikurse nga llumi i njerëzve pa njerëz.

“Pavarësisht reshjeve të dendura të borës, që nga orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, kompanitë e kontraktuara me Komunën e Skenderajt, janë duke punuar intensivisht në gjithë territorin e komunës sonë, me qëllim të pastrimit të rrugëve për qarkullim të lehtë të automjeteve. Si Komunë kemi ndërmarrë gjitha masat e nevojshme dhe vazhdojmë të jemi në gjendje të lartë gatishmërie, për pastrim të rrugëve, sado që grupe të caktuara të individëve mundohen të bëjnë bërllok – ashtu siç edhe e kanë bërë, duke dërguar tek disa media informata dhe fotografi se “Skenderajn e mori lumi”, ka shkruar Jashari.

Më tej ka shkruar se nuk është i pafuqishëm ndaj atyre që u pengon zhvillimi i komunës së Skenderajt.

“Jemi të pafuqishëm vetëm përballë fuqisë së nënës natyrë, që ajo di edhe të na zhduk nga faqja e dheut, por jo edhe ndaj atyre që i pengon zhvillimi i Komunës së Skenderajt, të cilët madje janë në gjendje të lutën natë e ditë, për fatkeqësi. Skenderaj po pastrohet nga bora, sikurse nga llumi i njerëzve pa njerëz!”, ka shkruar më tej Jashari.

Ndërkaq, sot ministri i infrastrukturës, Pal Lekaj ka bërë të ditur se të gjitha kompanitë e kontraktuara për pastrimin e rrugëve janë në terren./21Media

Back to top button