Këtë javë miratohet pakoja ekonomike për bizneset

Tahiri tha se kanë propozuar lirimin nga pagesa të çerdheve

Në Komunën e Vushtrrisë janë 24 raste të konfirmuara me COVID-19, prej tyre 7 persona janë shëruar, ndërsa një ka vdekur. Megjithatë, kjo Komunë tashmë tri ditë nuk ka asnjë rast pozitiv edhe pse vazhdimisht bëhen testime. Menaxhimi i mirë i Komunës së Vushtrrisë ka bërë që të evitohet shtimi i rasteve me koronavirus.

Kështu tha në një intervistë për Kpkryetari i kësaj komune Xhafer Tahiri, sipas të cilit, përveç punës së komunës, një rol të rëndësishëm në këtë drejtim po luajnë edhe qytetarët, të cilët po i ndjekin udhëzimet e institucioneve shëndetësore për të qëndruar në shtëpi si masë kundër përhapjes së COVID-19.

I pari i Vushtrrisë tha se qytetarët e komunës së tij janë duke iu përmbajtur kufizimeve të lëvizjes dhe si rezultat i kësaj, në tri ditët e fundit nuk ka rezultuar asnjë person me COVID-19.

“Në tri ditët e fundit nuk kemi pasur asnjë rast pozitiv me COVID-19, përkundër që kemi pasur 15 testime. Qytetarët e Vushtrrisë po përgjigjen pozitivisht masave për të qëndruar në shtëpi dhe dua t’i falënderojë ata dhe bizneset të cilët në këto kohë pandemie janë sjellë në mënyrë të shkëlqyer”, tha ai.

Gjatë kësaj jave, Tahiri bëri të ditur se do të votojnë edhe pakon ekonomike, që përmban një numër masash që do t’u dalin në ndihmë bizneseve që janë dëmtuar gjatë kësaj kohe.

“Pakoja ekonomike e Komunës së Vushtrrisë, e cila do të shkojë këtë javë në Kuvendin Komunal, përfshinë lirimin nga pagesa e qirasë për shfrytëzimin e objekteve të Komunës, si dhe lirimin pagesa për shfrytëzimin e hapësirave publike. Po ashtu, kemi propozuar lirimin nga pagesa e çerdhes ose parashkollorëve, për shkak se edhe ashtu nuk punon çerdhja. Po ashtu, në këtë mbledhje të Kuvendit do të aprovohet një masë e re e që është një studim mbi impaktin e COVID-19 në ekonomitë familjare në Vushtrri. Qëllimi është që përmes këtij studimi do të analizohet deri në detaje ndikimi që ka pasur COVID-19 në secilën familje në Vushtrri dhe në secilën biznes, dhe në bazë të këtij studimi do të dizajnohen edhe masat e reja dhe do të paraqiten kërkesat para qeverisë dhe para donatorëve për të rimëkëmbur ekonominë në Vushtrri. Janë edhe një sërë masash që presim t’i implementojmë në vijim dhe shumë shpejt do të lëshojmë edhe zonën ekonomike që do të jetë po ashtu një ndihmesë për bizneset”, tha Tahiri.

Si komunë, ai deklaroi se janë mirë të furnizuar me mjete mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor.

“Përgjithësisht, kemi pasur furnizim mjaftueshëm edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por ne kemi përdorur kontratën komunale dhe jemi të furnizuar edhe me mjete vetanake të komunës. Të gjitha këto shpenzime që po bëhen, edhe këto masa ekonomike sigurisht që kanë impakt ekonomik në të hyrat e komunës, por të gjitha këto ne po i vendosim në një kod të veçantë që pastaj do t’i paraqiten Qeverisë së Kosovës dhe donatorëve si Bashkimit Evropian, Bankës Botërore, si mundësi e ri-pagesës së tyre për rimëkëmbjen e ekonomisë së Vushtrrisë”, tha Tahiri.

Në Komunën e Vushtrrisë janë 24 raste me COVID-19, ku një person ka vdekur. Në nivel vendi deri mbrëmë janë konfirmuar 561 raste, prej tyre 102 të shëruar dhe 12 me përfundim fatal.

Back to top button