Jeta e larmishme e Janjevës

Banorët e Janjevës i bashkon, festa, sporti dhe jo vetëm

Disa birra në tavolinë po shoqëronin bashkë kroatë, shqiptarë e romë në njërën nga kafenetë mes dy rrugëve të ngushta në qendër të fshatit të Janjevës në Lipjan. Por, rrëfimet nuk nisin dhe as përfundojnë me kafenetë e këtij lokaliteti, që gjendet rreth 20 kilometra larg Prishtinës.

Mes shtëpive të vjetra e të braktisura, rrugicave me kalldrëm, mbi 2,000 banorët e Janjevës mes tjerash i bashkon, festa, sporti por edhe migrimi i vazhdueshëm.

Në dhjetor kur bora e parë po mbulonte Janjevën, Muhamet Gashi po qëndronte pranë kioskës së tij afër shkollës fillore “Shtjefën Gjeçovi” që gjendet në majë të një kodre. Ai nxjerr nga xhepi duart e skuqura prej të ftohtit, për të treguar me gisht në drejtim të një objekti të vjetër, i cili dikur ishte shkollë që bashkonte qindra nxënës të të gjitha komuniteteve të fshatit.

“Këtu kanë qenë të gjitha komunitetet, Nuk kemi pas probleme asnjëherë. Kroatë kanë qenë më shumë, të dytit në shumicë ne shqiptarët, pastaj romët, turqit e tjerë. Kanë qenë afër 1 mijë nxënës, që mësonim me 2-3 ndërrime”, rrëfei ai për BIRN.

“Kemi lujt futboll bashkë, kemi dalë në çarshi. Këtu ka qenë jeta, s’ka pasur nevojë me shku kërkah. Krejt kushtet kanë qenë, dyqanet e kafiteritë,”, tregoi 51 vjeçari.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, nga regjistrimi i fundit i popullsisë në vitin 2011, Muhameti është në mesin e 1,586 banorëve shqiptarë të Janjevës. Ai me emocion përshkruan jetesën e përbashkët ndëretnike në vitet e 70’ deri në të 90-at. Nostalgjia e kaplon kur flet edhe për grupet muzikore dhe filmat që i shikonin në rininë e hershme. Atëbotë fshati kishte edhe kinema funksionale, por që ka vite të tëra që ka pushuar së ekzistuari.

“Në kohën e The Beatles e Michael Jackson, i kemi ngu bashkë. Filmat e Bruce Lee i kemi kqyr, se na kemi pas edhe kinema, e cila nuk ka qenë as në qytet [Lipjan]. Vijshin këtu plot qytetarë edhe prej rrethinës. Ne si fmi atëherë, u gëzojshin kur vishin me kqyr filma, u bëjshim 200 veta”, tregoi ai i buzëqeshur.

Megjithatë, jo gjithçka nga aktivitetet kanë vdekur në këtë fshat.

Muhamed Gashi nga komuniteti rom tha se shumë shpesh me bashkëvendësit e tij luajnë futboll. “Dalum me lujtë futboll krejt bashkë,” i tha ai BIRN-it. 26 vjeçari tregoi se janë rreth 40 shtëpi të romëve në Janjevë, e që të dhënat e ASK-së, nga regjistrimi i fundit i popullsisë së Kosovës në vitin 2011, tregojnë se në këtë vend jetojnë 177 banorë romë.

Zbrazja e Janjevës 

Fillimvitet e 90-ta dhe fillimi i shpërbërjes së Jugosllavisë dhe krijimi i shteteve të reja të pavarura sikurse Kroacia e Sllovenia në vitin 1991 kishin prekur edhe vendbanimin e vogël të Kosovës.

“Kur e fitoi pavarësinë Kroacia, tani i mori krejt të vet atje. Tash kanë mbet shumë pak kroatë, shpijat e vjetra kanë mbet qashtu”, tha Muhameti nga komuniteti shqiptar.

Në Janjevë llogaritet që ende jetojnë mbi 200 kroatë.

52 vjeçari, i cili me profesion është shitës, rrëfeu se Janjeva po vazhdon të përballet me shpërngulje të banorëve edhe në ditët e sotme. Ndërkaq, Komuna e Lipjanit nuk ka informata të sakta të cilat vërtetojnë se banorët po e braktisin Janjevën, por në një përgjigje për BIRN komuna është në dijeni për fenomenin e largimit të të rinjve nga fshati.

Pranë xhamisë së fshatit, Antun Golome nga komuniteti kroat tha se bashkëjetesa me shqiptarët e serbët nuk është problem, por halli i tij mbetet papunësia e lartë që nuk bën dallim nga zonat e tjera të Kosovës.

Gjatë verës ai detyrohet që të shkojë në Kroaci për disa muaj për të siguruar jetesën. “Prej vegjëlisë jetoj këtu, por unë shkoj punoj në Kroaci pesë-gjashtë muj ditë [gjatë verës], dimrit jetoj këtu, se nuk ka punë”, tha ai.

Derisa, 27 vjeçari kërkon punë sezonale në Kroaci, Vetoni, berber me profesion e ka një dyqan të vogël në Janjevë. Klientela e tij nuk është e ndarë në bazë të përkatësisë etnike por në biznesin e tij vijnë nga gjitha komunitetet. Atë ditë, Srdjan Pantiq nga komuniteti serb po i qethte flokët e tij.

Pantiq punon në shkollën “Shtjefën Gjeçovi” në Janjevë si arsimtar i edukatës fizike. Ai për BIRN tha se ndihet i nderuar që punon në këtë fshat.

“Komuniteti serb, rom dhe kroat shkojnë në shkollë së bashku, ne punojmë së bashku dhe me të vërtetë nuk kemi probleme. Kam nderin që tash punoj në Janjevë, sepse ky vend dikur ka qenë vend i bukur dhe i mirë, ndërsa tash për fat të keq janë kushtet e vështira”, deklaroi ai.

Duke pasur këtë larmi të jetesës dhe vjetërsinë, Janjeva është bërë destinacion i shumë turistëve që vijnë ta shohin këtë vend të vogël. Këtë e pohoi edhe Skender Bikliqi, i cili tregoi se fshati vizitohet mjaftë shumë nga turistë nga vende të ndryshme të botës. “Kemi pas edhe studentë nga Turqia të cilët na kanë vizituar, kanë qëndruar 1 javë. Vijnë edhe anglezë e italianë”, tha ai.

Tradita e bashkëjetesës i ka bërë banorët e këtij fshati të festojnë së bashku festat e ndryshme.

Skenderi nga komuniteti turk në këtë fshat rrëfeu se nga konfesioni islam në traditë ka edhe shtrimin e iftarit gjatë Muajit të Ramazanit.

Në këtë fshat jetojnë 118 banorë turq, sipas të dhënave nga regjistrimi i fundit i popullsisë.

“Ne për muajin e shenjtë të Ramazanit e kemi bërë tradicionale tash e pesë vjet, shtrojmë iftar duke i ftuar edhe komunitetet tjera. Kjo është një afërsi e qytetarëve që jetojmë bashkë këtu. Edhe në festa, gjithë e ftojmë njëri tjetrin. Edhe në festën e Bajramit ose Veligdan i ofrojnë njëri-tjetrit dhurata, ushqime të ndryshme”, tha ai për BIRN-in./kallxo.com

Back to top button