Joseph paralajmëron Zelenskyn: Mos bjerë në grackën e Vuçiqit, flet marrëzi për “neutralitetin”

Analisti amerikan dhe ligjëruesi i Universitetit të “Johns Hopkins”, Edward Joseph ka folur për takimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq. Ai ka paralajmëruar Zelenskyn se do të dëgjojë shumë marrëzi për gjoja ‘neutralitetin’ serb ndaj agresionit rus kundër Ukrainës.

Ai i ka kërkuar po ashtu Zelenskyt që të mos bjerë në grackën e përpjekjes për të kërkuar mbështetjen e Vuçiqit, në takimin e tyre kokë më kokë.

“Marrëdhënia e Vuçiqit me Rusinë – dhe fuqia e tij – mbështetet në izolimin e Kosovës. Si Rusia ashtu edhe Serbia e shfrytëzojnë Kosovën për të mbështetur agresionin kundër vendit tuaj. Në të vërtetë, ministri i Mbrojtjes i Vuçiqit – dhe kreu i partisë së tij politike – sapo fajësoi promovimin perëndimor të pavarësisë së Kosovës për pushtimin e Rusisë në vendin tuaj. Këtu hyn Ukraina”, ka thënë analisti amerikan në rrjetin social “X”.

Sipas tij, marrëdhëniet Beograd-Moskë prishen kur asnjë kryeqytet nuk mund ta izolojë Kosovën.

“Njohja e Kosovës nga Kievi do të katalizojë 4 shtetet jonjohëse të NATO-s që të ndjekin shembullin. Siç e dini, rruga për anëtarësimin në NATO është çelësi. Pasi të përfundojë izolimi ruso-serb i Kosovës, është fundi i lojës për sharadën e Vuçiqit. Beogradi do të ketë vetëm një opsion: atë që ju dhe qytetarët tuaj e keni zgjedhur, të mirëpresë dhe pranojë NATO-n dhe BE-në. Një zgjidhje përfundimtare dinjitoze e çështjes së Kosovës do t’i shkaktojë një goditje të madhe Putinit”, ka shkruar ai mes tjerash.

“President Zelensky, ji i gatshëm të dëgjosh shumë marrëzi për “neutralitetin” serb ndaj agresionit rus kundër vendit tënd. Siç e dini, e vetmja gjë më e keqe se neutraliteti është neutraliteti i rremë. Serbia jo vetëm që refuzon të zbatojë sanksione ndaj Rusisë, por Beogradi shpërfill hapur politikën e BE-së duke mirëpritur mediat RT dhe Sputnik, duke përkrahur narrativat pro-ruse në të gjithë rajonin. Vuçiq ka lënë në krye të inteligjencës bashkëpunëtorin e Rusisë, të sanksionuar nga SHBA, Vulinin”, ka shkruar Joseph.

Sipas tij, Vuçiq dhe Vulin e dinë me siguri se sa municione serbe shkojnë në Ukrainë.

“A e dini se sa municione serbe mbërrijnë në Rusi? Presidenti dhe kryeministri serb pranojnë se votat për rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së që dënojnë Rusinë kanë të bëjnë me ruajtjen e pretendimit të Serbisë ndaj Kosovës – nuk kanë të bëjnë me solidaritetin me Ukrainën. Serbia anashkaloi Samitin e Platformës së Krimesë me më shumë se 40 vende, duke ekspozuar ‘shqetësimin’ mashtrues për sovranitetin e Ukrainës. Serbia ka dyfishuar naftën ruse, duke ndërtuar një tubacion të ri me Hungarinë. Nëse vendi juaj, Ukraina, përfundon tranzitin e gazit rus në Hungari, Beogradi do ta zëvendësojë atë me gazin rus. E shikoni? Serbia ruan marrëdhëniet e saj energjetike me Rusinë, ashtu si Vuçiç e ruan marrëdhënien e tij me Putinin. Dikush që është ‘neutral’ do të kishte qëndruar i qetë gjatë kryengritjes së Wagnerit; në vend të kësaj, Vuçiç përkrahi “reagimin e vendosur, të qartë dhe me vullnet të fortë” të Putinit, duke pretenduar se vetëm Putini mund të kishte pasur sukses. Nuk është çudi që Rusia gëzon mbështetje në Serbi”, ka shkruar ai.

Back to top button