Jumbo S.A. dhe Grupi BALFIN e zgjerojnë partneritetin ekskluziv në 11 tregje

Pas Shqipërisë, Kosovës, Bosnje dhe Hercegovinës, Malit të Zi dhe Moldavisë (hapet këtë vit),
BALFIN Group merr ekskluzivitetin për operimin e Jumbo në Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji,
Kazakistan, Ukrainë dhe Uzbekistan, si edhe për krijimin e një qendre të dedikuar logjistike në
Kinë.
BALFIN Group dhe Jumbo S.A. kanë nënshkruar një marrëveshje strategjike që zgjeron
ndjeshëm partneritetin e tyre afatgjatë, duke i dhënë BALFIN të drejtat ekskluzive për
operimin dhe zhvillimin e markës Jumbo në Armeni, Azerbajxhan, Gjeorgji, Kazakistan,
Ukrainë dhe Uzbekistan. Në këtë mënyrë Jumbo dhe Grupi BALFIN forcojnë partneritetin
mes tyre duke e shtrirë bashkëpunimin ekskluziv në formën e franchise në 11 shtete.
Marrëveshja parashikon aplikimin e një modeli të ri operimi midis palëve.
Sipas marrëveshjes së re, BALFIN do të menaxhojë në mënyrë të pavarur të gjithë zinxhirin e
furnizimit për shtetet e reja. Grupi BALFIN do të ndërtojë një rrjet të integruar logjistik, të
mbështetur nga qendra në Kinë dhe infrastruktura të dedikuara në rajonin e ri të
operimit.
“Kjo marrëveshje është një dëshmi e kapaciteteve dhe ambicies që ekipi ynë ka ndërtuar
gjatë më shumë se një dekade bashkëpunimi me Jumbo S.A. Zgjerimi i ekskluzivitetit në
gjashtë tregje të reja, si edhe marrja e përgjegjësisë së plotë për zinxhirin logjistik deri te
konsumatori final, përfaqëson një hap strategjik që e pozicionon BALFIN mes operatorëve
më ambiciozë të tregtisë me pakicë në rajon. Kjo pasqyron besimin që Jumbo S.A. ka tek
ne, si edhe bindjen tonë për potencialin e rritjes në këto tregje,” tha Samir Mane, President i BALFIN Group.
Apostolos-Evangelos Vakakis, Themelues dhe Kryetar i Jumbo S.A., u shpreh:
“Partneriteti ynë me BALFIN ka sjellë vazhdimisht rezultate të larta në çdo treg ku
operojmë së bashku. Performanca, profesionalizmi dhe disiplina operacionale e ekipit të
BALFIN na kanë dhënë besimin e plotë për t’u besuar atyre këtë territor shumë më të
madh dhe menaxhimin e pavarur të zinxhirit të furnizimit. Jemi krenarë që zgjerojmë
bashkëpunimin tonë në këto tregje të reja dinamike dhe mezi presim të sjellim
eksperiencën Jumbo për miliona klientë të rinj.”
Marrëveshja e pozicionon Grupin BALFIN në qendër të një prej korridoreve më të
rëndësishme strategjike të shitjes me pakicë dhe logjistikës që lidh Azinë me Evropën.
Duke krijuar kapacitete të drejtpërdrejta të sigurimit të mallrave dhe shpërndarjes,
BALFIN fiton më shumë fleksibilitet operativ. Zgjerimi pritet të nxisë krijimin e vendeve
të reja të punës, investime në infrastrukturë dhe transferim të njohurive (know-how) në
tregjet e reja operative, si dhe të forcojë lidhjet tregtare dhe komerciale midis Ballkanit
Perëndimor, Bashkimit Evropian dhe rajonit më të gjerë Euroaziatik.

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?