Juniku dhe Rahoveci në grevë

Nuk e kanë rifilluar procesin mësimor

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit për komunën e Rahovecit, Avni Morina, mbrëmë përmes një postimi në Facebook ka paralajmëruar se grevës nuk do t’i përmbahen mësimdhënësit e komunës së Rahovecit. Morina ka bërë të ditur se greva do të ndërpritet dhe që nga sot ishte paraparë të rifillojë procesi mësimor.

Megjithatë, edhe përkundër këtij paralajmërimi, mësimdhënësit e Rahovecit janë ende në grevë dhe nuk po mbajnë mësim, këtë e konfirmoi Morina për rtv21. Edhe Drejtori i Arsimit në Junik, Fatos Shala përmes një prononcimi për RTV21, ka bërë të ditur se në grevë janë edhe mësimdhënësit e Junikut.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmë në një takim me SBASHK-un, u ka bërë një ofertë për rritje të pagave. Haradinaj u ka thënë grevistëve që buxheti për arsim të rritet për 20 milionë euro në vit. Megjithatë, SBASHK-u e ka cilësuar këtë ofertë minimale dhe ka njoftuar se greva do të vazhdojë.

Haradinaj edhe sot u ka bërë thirrje mësimdhënësve që nga nesër të rifillojnë procesin mësimor, pasi sipas tij nuk ka mundësi që të rriten më shumë pagat për ta. Kreu i Qeverisë teksa ka folur për grevën e SBASHK-ut, ka thënë se nëse do të ishte në vullnetin e tij, do t’ua rriste mësimdhënësve pagat edhe më shumë, por që sipas tij, kaq kanë qenë mundësitë.

Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se është e padrejtë dhe joetike që pas këtij vendimi të mohohet e drejta e fëmijëve për shkollim.

Ndërkaq, në anën tjetër SBASHK-u, po realizon vizitat në institucione të ndryshme arsimore në nivel Kosove. Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, sot ka vizituar Mitrovicën, komunë kjo që kishte bërë thirrje për fillim të mësimit. Gjatë vizitës në çerdhen ‘Gëzimi Ynë’, Jasharaj ka përsëritur qëndrimin e sindikalistëve mbi grevën.

“Nuk po kërkojmë aspak më shumë se të tjeret.. projektligji për paga është denigrues.. ose do të humbim ose do të fitojmë të gjithë… nga qerdhet deri tek niveli universitar duhet të jemi unik më shumë se kurrë dhe mos të lejojmë ndarjen nga askush. Kemi hyrë në një betejë ose do të fitojmë të gjithë ose do të humbim”, ka thënë Jasharaj. SBASHK kishte njoftuar se do të tërhiqen nga greva vetëm nëse ngritet 30%, koeficienti i mësimdhënësve për paga./21Media

 

 

Back to top button