Pasi refuzimit të ofertës së Haradinajt, SBASHK-u viziton grevistët

Mbrëmë kryeministri u ka bërë ofertë për rritje të pagave

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmë në një takim me SBASHK-un, u ka bërë një ofertë për rritje të pagave. Haradinaj u ka thënë grevistëve që buxheti për arsim të rritet për 20 milionë euro në vit. Megjithatë, SBASHK-u e ka cilësuar këtë ofertë minimale dhe ka njoftuar se greva do të vazhdojë.

Ani pse SBASHK-u ka njoftuar se greva do të vazhdojë, disa komuna, si Deçani, Malisheva, Mitrovica, e të tjera u kanë bërë thirrje mësimdhënësve që të fillojnë procesin mësimor.

Ndërkaq, SBASHK ka paralajmëruar se gjatë ditës së sotme, do t’i vizitojë disa shkolla ku po mbahet greva.

“Në ditën e gjashtë të grevës së përgjithshme, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj bashkë me disa nga anëtarët e Këshillit Qendror Grevist do të qëndrojnë në Mitrovicë për të bashkëbiseduar me grevistët në Çerdhen “Gëzimi  ynë” në ora 9 e 10 minuta, për të vazhduar pastaj në ora 9 e 50 minuta në SHFMU “Migjeni”. Po ashtu, Kryetari Jasharaj do të vizitojnë e dhe komunën e Vushtrrisë për t’u takuar me grevistët në SHFMU 2 në ora 11 e 10 minuta dhe Çerdhen “Foleja” në ora 11 e 40 minuta, kurse nënkryetarja e SBASHK-ut, Vjollca Shala me anëtarë të tjerë të Këshillit Qendror Grevist do të vizitojë komunën e Obiliqit për të bashkëbiseduar me grevistët në Çerdhes “Rrita Jone” në ora 9 e 10 minuta, për të vazhduar pastaj ne Fushë Kosovë ne SHFMU “Selman Riza” ne ora 11”, bëhet e ditur në komunikatën e SBASHK-ut.

SBASHK kishte njoftuar se do të tërhiqen nga greva vetëm nëse ngritet 30%, koeficienti i mësimdhënësve për paga./21Media

Back to top button