Kamberi kërkon të përsëriten zgjedhjet në Preshevë

Shaip Kamberi nga “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” ka kërkuar të përsëritën zgjedhjet në Luginën e Preshevës pasi siç tha ai shumë shqiptarëve i është pamundësuar e drejta elementare për të votuar.
“Kjo e bënë procesin zgjedhor jodemokratik. Zgjedhjet jo të lira. Prandaj zgjedhjet duhen të përsëriten në Luginën e Preshevës, duke zgjidhur paraprakisht çështjen e mohimit të së drejtës për të votuar për çdo qytetar të Luginës së Preshevës”, shkroi Kamberi në “Facebook”.
Zgjedhjet e fundit në Serbi të datës 3 prill u karakterizuan me pjesëmarrje të ulët të votuesve shqiptarë. E sipas Shaip Kamberit kjo ishte pasojë e pasivizimit të vendbanimeve të shqiptarëve që rezultoi me shlyerjen e tyre nga listat zgjedhore deligjitimoi procesin zgjedhor, sidomos në Luginën e Preshevës.
Sipas Kamberit “Koalicioni i Shqiptarëve të Luginës” i përbërë nga Partia për Veprim Demokratik bashkë me Partinë Demokratike dhe Lëvizjen e Progresit Demokratik mori 9 mijë e 644 përkundër vështirësive të shumta me të cilat u përball në këtë proces zgjedhor.
Tutje Kamberi tha se votat e marra ato akoma nuk janë garancë për të fituar një mandat.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar ndaj mohimit të të drejtës së shqiptarëve në Serbi për të votuar.
Në një postim në Twitter Osmani ka shkruar që “sipas raportimeve, 6000 shqiptarëve në Serbi i është mohuar e drejta e tyre themelore për të votuar për shkak të fushatës së qëllimshme pasivizuese të Serbisë për spastrim etnik përmes mjeteve administrative”./21Media

Back to top button