Kandidatët për kryetar të Mitrovicës s’merren vesh për kafen e mëngjesit në Veri

Kandidatët për kryetar të komunës së Veriut nuk janë dakorduar për të pirë sot së bashku kafen e mëngjesit, pas situatës së krijuar në Veri.
Kandidati i LDK-së, Armend Agolli dje iu ka bërë ftesë publike kundërkandidatëve për ta pirë kafen në pjesën veriore të Mitrovicës. Ndërsa, sot ai ka informuar se është takuar në lagjen e boshnjakëve me kundërkandidatët e tij për kryetar të Mitrovicës, përveç Agim Bahtirit.
“Sot, pa dallime partiake, ne duhet të qëndrojmë bashkë në përkrahje të banorëve shqiptarë që jetojnë matanë Ibrit. Ne e pëkrahim bashkimin e tyre në një iniciativ të përbashkët në mënyrë që roli i tyre në Komunën Veriore të Mitrovicës të rritet. Falënderoj kundërkandidatin tim z. Bedri Hamza si dhe përfaqësuesit e Iniciativës Qytetare “Mitrovica” z. Skender Sadiku dhe z. Erden Atiq, të cilët u bashkangjitën në këtë takim. E pritshme mungesa e z. Bahtiri. Ambienti dhe niveli i takimit mbase do ta bënin të ndihej inferior. E mirëkuptojmë.”, ka shkruar Agolli në facebook.
E kafen e mëngjesit në Veri sot e ka pirë edhe kryetari aktual i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili është kandidat nga VV për këtë komunë, por jo bashkë me Hamzën e Agollin. Ai është takuar me kandidatin për kryetar komune të ‘Iniciativës Qytetare Mitrovica’, Erden Atiq dhe bartësin e listës për asamble komunale, Skender Sadikun.
“Mbështetja ime për shqiptarët e veriut asnjëherë nuk ka munguar, e as që do të mungoj edhe në të ardhmen. Duket se kundërkandidatët e mi e kishin pasur për ngut kafen e mëngjesit, e as që kishin pasur interesim të presim për t’u informuar për konkluzionet e KKSB-së, pas së situatës së krijuar në veri për shkak të aksionit të policisë.”, ka shkruar Bahtiri.
Lidhur me takimin e sotëm me kundërkandidatët është deklaruar edhe kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili ka theksuar se interesi nacional është më i rëndësishëm.
“Një kafe me doktorin Armend Agolli dhe Skënder Sadikun, ku gara partiake pushoi, sepse interesi nacional është më i fuqishëm dhe më i rëndësishëm. Qytetarët tanë meritojnë të jetojnë në paqe, me perspektivë më të mirë.”, ka shkruar Hamza në facebook.
Ndryshe, zgjedhjet lokale në vendin tonë do të mbahen më 17 tetor./21Media

Back to top button