Kandidati i LDK-së zotohet për zgjidhje përfundimtare të problemit të ujit në Klinë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Komunës së Klinës, Arben Limanaj, ka prezantuar programin e tij qeverisës gjatë debatit zgjedhor të mbajtur në RTV21, në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Limanaj tha se programi i LDK-së vendos qytetarin në qendër të vendimmarrjes, duke synuar një qeverisje transparente dhe gjithëpërfshirëse.
“Programi i LDK-së e ka qytetarin në qendër. Te ne, qytetari nuk konsiderohet thjesht përfitues i projekteve, por pjesëmarrës aktiv në vendimmarrje. Ky program përfshin të gjitha fushat – që nga arsimi, shëndetësia, kultura, rinia dhe sporti, e deri te kadastri dhe urbanizmi. Prioritet kryesor i kemi dhënë sigurimit të një zgjidhjeje përfundimtare për furnizimin me ujë të pijshëm për qytetin e Klinës dhe fshatrat ku uji mungon”, deklaroi Limanaj.
Ai theksoi se përvoja e tij në administratë dhe qasja profesionale ndaj qeverisjes do të jenë garanci për zhvillim të qëndrueshëm të komunës nëse i besohet drejtimi i saj në mandatin e ardhshëm./21Media