Zenun Elezaj synon mandatin e tretë me projekte zhvillimore për Klinën

Në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, kryetari aktual i Komunës së Klinës dhe kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Zenun Elezaj, ka prezantuar programin e tij zgjedhor në debatin në RTV21.
Gjatë prezantimit, Elezaj theksoi se mandati i tij i deritanishëm ka qenë i suksesshëm, duke u mbështetur në realizimin e shumicës së premtimeve të dhëna gjatë dy mandateve të kaluara. Ai nënvizoi se përvoja në qeverisjen lokale dhe bashkëpunimi me institucionet qendrore e ndërkombëtare kanë qenë kyçe për realizimin e projekteve të rëndësishme për komunën.
“Pas dy mandateve qeverisje në Komunën e Klinës, kemi realizuar shumicën e premtimeve tona”, deklaroi Elezaj, duke shtuar se synon ta vazhdojë këtë rrugë të zhvillimit dhe modernizimit të komunës edhe në mandatin e tretë.
Ai paralajmëroi disa projekte madhore për të ardhmen, përfshirë finalizimin e rrugës së tranzitit të qytetit deri në fund të vitit 2026 – projekt i cili ka nisur vitin e kaluar dhe po realizohet në bashkëfinancim me Ministrinë e Infrastrukturës. Po ashtu, në plan është hartimi dhe ndërtimi i impiantit kryesor për trajtimin e ujërave të zeza, si dhe ndërtimi i një fabrike për furnizim me ujë të pijshëm, që synon të zgjidhë përfundimisht problemet me ujësjellësin në disa zona të komunës.
Elezaj gjithashtu ka premtuar edhe ndertimin e 20 parqeve./21Media