Kaos në Kuvendin e Shqipërisë, votohen nen për nen 10 projektligje për 12 minuta

Kuvendi i Shqipërisë është mbledhur sot në seancë plenare ku mes kaosit dhe bilbilave te opozites u votuan pikat e parashikuara në rendin e ditës si projektligji i ratifikimit të marrëveshjes së financimit me Francën për programin (lnterreg VI-B) Euro Mesdhe (EURO MED) 2021-2027.

Në kalendar ishte edhe ratifikimi i marrëveshjes me Bashkimin Evropian për aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare në Republikën e Shqipërisë.

Po ashtu u votua Akti Normativ për shtesa dhe ndryshime në buxhetin e vitit 2023, për shtesa dhe ndryshime në ligjin e tatimit mbi të ardhurat.

Gazetari Isa Myzyraj teksa raportoi nga oborri i Kuvendit theksoi se ndryshe nga çfarë jemi mësuar të shikojmë në seancat e tjera, këtë mëngjes situata duket e qetë, pasi deputetët e opozitës nuk kanë mbërritur më herët si zakonisht, por kanë pritur orarin zyrtar të nisjes së seancës.

“Na duhet qeveri, jo kartel”, “Vrasës i pluralizmit”, ‘Gjykatat e Shqipërisë, apo gjykatat e Ramës”, “Edhe Rama, në burg si Mcgonigal”, “Na ktheni atë që është e jona!“, janë disa nga mesazhet që kanë zgjedhur opozitarët sot, në kuadër të protestës së tyre që vijon prej disa kohësh.

Dhe pas 11 minutash do të përfundonte seanca plenare e cila që në fillim është karakterizuar nga protesta e opozitës, e reflektuar me bilbila dhe pankarta.

Deputetja Albana Vokshi ka tentuar t’i japë kryeministrit Edi Rama pankartën ku lexonte “vrasës i demokracisë”, por nuk është lejuar nga garda.

Opozita e ka bërë të qartë që nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, protesta e tyre do të vijojë. Mbetet për të parë nëse do përdoren sërish flakadanë, ku me rregulloren e re dënimi është 60 ditë përjashtim nga Kuvendi./oranews

Back to top button