Kapen 500 mijë euro në portin e Durrësit

Policia kufitare në portin e Durrësit ka mundur të kapë rreth 500 mijë euro cash të padeklaruara ditën e stome.
Sasia e madhe e parave ishte futur në disa qese plastike dhe më pas ishin fshehur në tavanin e autobusit pranë kondicionerit.
Policia në informacionin e saj paraprak konfirmon se operacioni hetimor i koduar “Eurot” po kryhej prej një muaji tashmë.
”Në portin e Durrësit, si rezultat i një hetimi njëmujor të kryer nga Policia Kriminale e DVP Durrës, për mundësinë e futjes së një shume të madhe eurosh në vendin tonë, nëpërmjet portit të Durrësit, gjatë ditës së sotme, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, është ushtruar kontroll i imtësishëm nga Seksioni kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar i DVP Durrës. Si rezultat i informacioneve dhe kontrollit të imtësishëm, në pjesën e sipërme të një autobusi janë gjetur të fshehura 6 qese plastmasi, brenda të cilave kishte disa pako, me rreth 500 000 euro”, njofton policia.
Nga Policia e DVP Durrës janë shoqëruar disa persona dhe vijon puna për numërimin e saktë të sasisë së eurove dhe për identifikimin e kapjen e personave të përfshirë./oranews

Back to top button