Kapen me rreth 750 gramë kokainë të gatshme për ta shitur, arrestohen dy persona

Dy persona, A. (M). B., 59 vjeç, dhe I. R., 63 vjeç, të dy banues në Tiranë, u arretuan sot për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
“Në rrugën “5 Maji”, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasit A. (M). B. dhe I. R. Gjatë kontrollit të çantës së paketimit që mbante me vete shtetasi I. R., iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një pako me lëndë të dyshuar narkotike kokainë, me peshë rreth 750 gramë. Nga verifikimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, pasi siguronin lëndën narkotike kokainë, e ndanin atë në doza, të cilat i shisnin më pas në rrugën “5 Maji”, në zonën e quajtur “Xhamlliku” dhe në zonën e Selvisë, në Tiranë.”, informoi Policia.
Lidhur me rastin, u sekuestrua lënda e dyshuar narkotike-kokainë dhe 3 aparate celulare.
Po ashtu, sipas njoftimit, po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale./21Media

Back to top button