Kapet një furgon në Leposaviq, po kontrabandonte ushqime e pije

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e vona të së shtunës është ndaluar një furgon në Jashanicë të Leposaviqit, që dyshohet se kishte hyrë në Kosovë nga Serbia përmes rrugëve ilegale.

Policia ka njoftuar se personi i dyshuar me të vërejtur se po ndiqej, kishte braktisur furgonin dhe ishte larguar në drejtim të panjohur.

Gjatë kontrollit në furgon janë hasur gjëra ushqimore e pije alkoolike.

Malli është dërguar në Terminal Doganor për procedura të mëtejshme ligjore.

“I dyshuari me të vërejtur se është diktuar nga operatorët e NJNSH-së kishte braktisë automjetin dhe ka ikur në drejtim të panjohur. Pas kontrollimit të automjetit vërtetohet se i njëjti ishte i mbushur me gjëra ushqimore dhe pije alkoolike. Policia e Kosovës me njësitet e saj po punon me përkushtim në menaxhimin dhe kontrollin e vijës kufitare, si dhe parandalimin e veprave penale që ndërlidhen me kontrabandën apo kalimet e paautorizuara të kufirit shtetëror. Në lidhje me rastin janë informuar njësitet relevante dhe automjeti është dërguar në Terminalin Doganor për procedura të mëtutjeshme ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Back to top button