Katër këmbësorë u goditën brenda 12 orëve

 

Katër këmbësorë u lënduan si pasojë e aksidenteve gjatë 12 orëve në Kosovë.

Dje rreth orës 07:20 në rrugën “Ismail Kryeziu”, në Prizren një burrë nga pakujdesia goditi një këmbësore/femër kosovare. “Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta pas pranimit të tretmanit mjekësor është liruar.”, informoi sot policia.

Po ashtu, dje në Prizren, në rrugën e Flamurit, rreth orës 11:30 një burrë derisa ishte duke drejtuar veturën, nga pakujdesia goditi një këmbësor/viktimën mashkull kosovar. “Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti, pas pranimit të tretmanit mjekësor është liruar.”, bëri të ditur policia.

Një këmbësor u godit nga vetura edhe në fshatin Rastavicë të Deçanit. “Raportohet se e dyshuara femër kosovare përderisa ishte duke drejtuar veturën, nga pakujdesia ka goditur këmbësorin-viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor në QKUK.”, informoi policia.

Ndërsa, në fshatin Zabel të Ulët të Drenasit dje rreth orës 18:50 u godit nga vetura një e mitur. Lidhur me rasin u arrestua vozitësja.

“Është arrestuar vozitësja femër kosovare, pasi që e njëjta me veturë nga pa kujdesia ka goditur këmbësoren femër kosovare (e mitur). Viktima është dërguar në QKUK dhe sipas mjekut, është jashtë rrezikut për jetë. Me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje.”, informoi policia./21Media

Back to top button