KDI: 1 maji – rikujtim se duhet të veprohet me prioritet për të drejtat e punëtorëve

 

Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve këtë vit e gjen Kosovën me papunësi të rritur, duke qenë se shumë punëtorë kishin humbur vendet e punës si pasojë e mbylljes së ekonomisë për shkak të pandemisë COVID 19. Përderisa deri më sot, nuk ka shifra të sakta mbi numrin e punëtorëve që humbën vendet e punës, numri i punëkërkuesve të rinj të regjistruar vetëm në prillin e vitit të kaluar ishte mbi 32,000 mijë.

Kështu thuhet në komunikatën që ka dërguar Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

“Pakot fiskale të Qeverisë të cilat u dizajnuan për të adresuar nevojat e pandemisë nuk dhanë rezultatet e parashikuara. Në fakt, përpos pakos së parë emergjente mars-maj 2020, pakot tjera të nxjerra nga Qeveria nuk e kishin në fokus ndihmën, edhe ashtu shumë modeste për punëtorët e sektorit privat. Sipas Administratës tatimore të Kosovës (ATK), deri më 17 korrik 2020, numri i punëtorëve të sektorit privat të cilët përfituan dy paga nga 170 euro, ishte 196,049 punëtorë. Në anën tjetër punëtorët e institucioneve publike, mjekët, policët, arsimtarët e infermierët u ndihmuan me shtesë në paga”, thuhet tutje në komunikatë.

Që nga fillimi i pandemisë, KDI, thotë se përmes programit për ofrimin e ndihmës juridike falas ka vazhduar të pranojë ankesa të shumta nga qytetarët të cilëve u ishin shkelur të drejtat e tyre të punës nga punëdhënësit e tyre, qoftë institucionet publike apo kompanitë private. “Si një vend me mundësi të kufizuara buxhetore, institucionet e Kosovës vazhdojnë të mos e kenë prioritet dinjitetin e punëtorëve dhe zbatimin e të drejtave të tyre”.

Në komunikatën e KDI-së thuhet se largimi nga puna si pasojë e pandemisë, pasuar nga puna me orar të zgjatur janë shqetësimet kryesore të raportuara gjatë pandemisë. “Punëtorë kryesisht të ndërmarrjeve që merren me sigurimin fizik të objekteve qeveritare apo edhe private, kanë raportuar në vazhdimësi që zakonisht orari i tyre është jashtë kërkesave të ligjit të punës, apo 40 orëshit në javë. Kundërshtimi i orarit të zgjatur për këtë kategori të punëtorëve nënkupton edhe largim automatik nga puna”.

Tutje thuhet se shumë punëtorë në sektorin privat vazhdojnë të privohen nga mospagesa e kontributeve pensionale nga punëdhënësit apo kompanitë e tyre, përkundër që ato janë të regjistruara dhe përkundër faktit se ato në pagat neto të punëtorëve ndalin shumën që duhet të paguhet për kontributin pensional. “Po kjo kategori e punëtorëve nuk kanë asnjë siguri, në kuptimin e vazhdimësisë së punës, pasi që në mungesë të kontratës së punës, punëdhënësi mund t’i largojë në çdo kohë”.

Në shkrimin e KDI-së theksohet se në institucione publike vërehen probleme të natyrave tjera. “Raportimet më të shpeshta ndërlidhen me parregullsi dhe shkelje të të drejtave në proceset e aplikimeve për punë, pra në konkurse publike”.

“Inspektorati i punës, që është edhe përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit të punës, vazhdon të operojë me vetëm 40 inspektorë të punës, numër ky jashtë çdo standardi që mundëson mbikëqyrje efektive të të drejtave të punëtorëve. Ndonëse rritja e numrit të inspektorëve ishte premtuar nga të gjitha qeveritë, deri tani kjo nuk ka ndodhur. KDI beson se rritja e numrit të inspektorëve të punës do të ndikonte në rritjen e respektimit të të drejtave të punëtorëve, ulje të informalitetit dhe përmirësimin e kushteve të punës për punëtorët”, thuhet në komunikatën e KDI-së.

KDI përmes programit për ndihmë juridike falas, inkurajon të gjithë punëtorët e Kosovës të raportojnë shkeljet në vendin e punës tek numri pa pagesë 0800 77777 ose përmes linkut www.raporto.kdi-kosova.org. “Të drejtat e punëtorëve nuk do të mbeten “vetëm në letër”, vetëm nëse qytetarët vazhdojnë të ekspozojnë dhe raportojnë shkeljet në vendin e punës!”./21Media

Back to top button