KDI: 54% e qytetarëve i vlerësojnë të drejta vendimet e Kushtetueses për reformën në drejtësi

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) të premten ka prezantuar rezultatet e hulumtimit të opinionit publik, me theks këndvështrimet e qytetarëve të Kosovës mbi ecurinë e reformës në sektorin e drejtësisë, ku 54 për qind i kanë dhënë të drejtë vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për ligjet që synojnë reformë në drejtësi.

Gjatë shpalosjes së të dhënave, Violeta Haxholli nga KDI, ka thënë se përmes këtij sondazhi është synuar të kuptohen disa çështje, duke filluar me atë se si e shohin qytetarët qasjen e Qeverisë dhe subjekteve opozitare ndaj procesit të reformës në drejtësi, si i kanë parë vendimet e Gjykatës Kushtetuese rreth ligjeve të cilat tentojnë të reformojnë sistemin e drejtësisë dhe çfarë pritjesh kanë nga ky proces.

Në pyetjen drejtuar qytetarëve, sipas KDI, se si e vlerësojnë qasjen e Qeverisë ndaj Reformës në Drejtësi, 49% janë të mendimit se Qeveria me anë të reformës po synon fuqizimin e sundimit të ligjit, kundrejt 22% të qytetarëve që mendojnë se Qeveria me anë të reformës po synon ndërhyrjen në sektorin e drejtësisë. Ndërsa, 18% e tyre mendojnë se Qeveria po shpërfillë akterët e tjerë gjatë procesit të hartimit të ligjeve.

“Kur janë pyetur se cilat mund të jenë arsyet e subjektet opozitare për të dërguar ligjet e Reformës në Gjykatën Kushtetuese, 31% e tyre kanë thënë se opozita i ka dërguar ligjet në gjykatë për shkak të cilësisë së dobët të tyre, ndërsa 31% e tyre janë shprehur se kjo po bëhet për të shmangur mundësitë e ndërhyrjeve të Qeverisë në organet e drejtësisë. Në anën tjetër 25% e qytetarëve mendojnë se Opozita i ka dërguar ligjet në Gjykatë për shkak se ndjehet e kërcënuar nga Reforma në drejtësi, kundrejt 17% të tyre që mendojnë se me anë të këtij veprimi Opozita po pengon Reformën”, thuhet në njoftim.

Në pyetjen se si i shohin qytetarët vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjet e reformës në drejtësi, 54% e qytetarëve janë shprehur se aktgjykimet e Gjykatës janë të drejta, kundrejt 24% të tyre që i konsiderojnë vendimet si të padrejta. Ndërsa nuk kanë ofruar përgjigje 21% prej tyre.

Në fund, qytetarët janë pyetur edhe rreth pritjeve nga procesi i reformës në drejtësi, për çka 41% e tyre janë përgjigjur se presin që reforma të fuqizojë sundimin e ligjit. Ndërsa 30% e tyre thonë se reforma do të përmirësojë punën e gjykatave dhe prokurorive. 28% e qytetarëve të anketuar nuk presin ndryshime nga reforma në drejtësi.

Ky hulumtim, siç shkruan KDI, është realizuar me metodën e Omnibusit, në të cilin kanë marrë pjesë 1065 respodentë të moshës mbi 18 vjeç. Periudha e anketimit përfshin datën nga 4 deri me 15 mars 2024.

Hulumtimin e plotë të opinionit publik mund ta gjeni KËTU.

Back to top button