KDI kërkon nga Qeveria mosndërhyrje në punën e gjyqësorit

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është shprehur se “ka përcjellë me shqetësim përplasjet e fundit mes Qeverisë së Kosovës dhe Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial”.
KDI përmes një komunikate ka thënë se rasti i dhunimit të 11 vjeçares ka konfirmuar nevojën për reformimin e sistemit të drejtësisë.
“Rasti i dhunimit të një 11 vjeçareje ka risjellë vëmendjen tek problemet me të cilat ballafaqohet sistemi i drejtësisë në Kosovë, ndër të cilat mosndëshkueshmëria dhe trajtimi jo-serioz i lëndëve të ndjeshme janë më akutet. Ky rast edhe një herë veçse ka rikonfirmuar nevojën për reformimin e sistemit të drejtësisë në funksion të rritjes së nivelit të llogaridhënies dhe performancës së institucioneve të drejtësisë”, thuhet në komunikatë.
Megjithatë, KDI është shprehur se qasja e Qeverisë së Kosovës ndaj këtij rasti, duke kërkuar dorëheqje, përbën ndikim në punën e gjyqësorit.
“KDI konsideron se qasja e Qeverisë së Kosovës ndaj kësaj situate, duke kërkuar shkarkime dhe dorëheqje të akterëve të sistemit të drejtësisë, përbën ndikim në pavarësinë dhe punën e gjyqësorit. Kushtetuta e definon qartazi parimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit të pushteteve, andaj ndërhyrjet e Qeverisë në forma të tilla cenojnë standardet dhe parimet themelore të demokracisë kushtetuese. Për më tepër, legjislacioni parasheh mekanizma të llogaridhënies ndaj gjyqtarëve e prokurorëve që janë aktualisht rruga e vetme për t’i thirrur në përgjegjësi të njëjtit lidhur me punën e tyre”, bëhet e ditur në komunikatë.
KDI shprehet se “në kohën kur vendi është në prag të inicimit të procesit të Vetting-ut në drejtësi, raportet mes institucioneve të drejtësisë dhe ekzekutivit janë tejet të rëndësishme në përmbylljen me sukses të një procesi kaq të ndjeshëm e kompleks, siç është Vetting-u”.
“KDI bën thirrje që Qeveria të ndërpresë tendencat për ndërhyrje në punën e gjyqësorit, por në anën tjetër edhe KGJK-ja dhe KPK-ja të përdorin mekanizmat e nevojshëm disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve në lidhje me trajtimin jo-adekuat të rasteve”, përfundon komunikata e KDI-së./21Media

Back to top button