KEDS bën me rrjet nëntokësor sheshin e qytetit të Suharekës

 
Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) ka përmbyllur projektin e shtrirjes së rrjetit elektrik nëntokësor në sheshin e qytetit të Suharekës.
Ky shesh tashmë ka marrë pamje krejt tjetër ku me dhjetëra shtylla elektrike janë larguar nga qendra e qytetit.
Ky projekt është realizuar në bashkëpunim me Komunën e Suharekës, ndërsa është vazhdimësi e investimeve që KEDS po realizon gjithandej vendit në shtrirjen e rrjetit nëntokësor.
Avni Alidemaj, këshilltar ekzekutiv në KEDS, tha se pos shërbimeve më kualitative, po ofrojnë siguri më të madhe për qytetarët që vizitojnë sheshin e Suharekës.
Përveç sheshit të Suharekës, Alidemaj tha se KEDS dhe Komuna kanë paraparë edhe projekte të tjera përmes të cilave do të përfitojnë banorët e këtij qyteti, e që investimet pritet të jenë mbi 1 milion euro.
Këtë investim e ka mirëpritur edhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i cili tha se ky projekt është ndër më të rëndësishmit për komunën që e udhëheq.
Muharremaj tha se përmes këtij projekti kanë arritur të ndryshojnë pamjen e sheshit kryesor të qytetit, derisa potencoi se tashmë ka edhe më shumë siguri për qytetarët.
Këtë investim e kanë mirëpritur edhe qytetarët e Komunës së Suharekës, të cilët shprehen se sheshi ka marrë pamje shumë më të mirë.
Blerim Berisha, qytetar, tha se tashmë që rrjeti elektrik është nëntokë janë më të sigurt. Edhe qytetari Mehdi Fondaj, e ka mirëpritur këtë investim, e i cili tha se përveç sigurisë edhe sheshi ka marrë pamje më të mirë. Të njëjtin mendim e ka edhe qytetari Sejdi Gashi, i cili tha se ky projekt i KEDS-it dhe Komunës së Suharekës është shumë i rëndësishëm.
KEDS gjithandej vendit është duke realizuar investime për shtrirjen e rrjetit nëntokësor, duke iu dhënë qendrave të qytetit një pamje shumë më të mirë.

Back to top button