KEDS-i zë mbi 250 konsumatorë duke vjedhur rrymën
KEDS ka zënë 259 konsumatorë duke vjedhur energjinë elektrike gjatë muajit janar. Afër 130 mijë euro është shuma që duhet t’ia rikthejnë kompanisë si humbje të shkaktuara në rrjet.
“Ndërkaq, vlera totale e kilovatëve që këta konsumatorë e kanë vjedhur gjatë muajit janar është afër një milion e gjysmë. Dëmi i shkaktuar ndaj KEDS-it nga këta konsumatorë të pandërgjegjshëm është i madh, njëjtë siç është e madhe edhe përgjegjësia financiare dhe ligjore që këta e kanë ndaj kompanisë dhe institucioneve të Drejtësisë. Konsumatorët që kapen duke e vjedhur energjinë elektrike, pos obligimit që t’i rikthejë humbjet, dërgohen nga KEDS edhe në gjykatat kompetente”, thuhet në komunikatën për media të KEDS-it.
Tutje, KEDS bënë të ditur se gjatë vitit 2023 në gjykatat e Kosovës i ka dorëzuar mbi 2,300 raste për vjedhje.
“Në vitin 2023, KEDS ka dorëzuar mbi 2,300 raste në gjykatat e Kosovës. KEDS mbetet i pakompromis ndaj të gjithë konsumatorëve që e keqpërdorin energjinë elektrike, dhe së fundi ka intensifikuar kontrollet ditore anembanë Kosovës. Mos e vidhni energjinë elektrike, sepse rryma ju kushton më lirë!”, shkruan KEDS./21Media