KEDS tregon si mund të kurseni 15 për qind nga fatura e rrymës vetëm me bojler

Ekspertët e KEDS-it deri tash kanë bërë një sërë llogaritjesh për shpenzim sa më racional të energjisë elektrike, kryesisht në ngrohje, si shpenzuesi më i madh i energjisë elektrike.

Pas ngrohjes, bojleri llogaritet si shpenzuesi më i madh i energjisë elektrike. Sipas ekspertëve në KEDS, bojleri, në shtëpitë tona, varësisht nga madhësia, lloji i tij, numri i anëtarëve të familjes dhe kohës sa qëndron i ndezur shpenzon prej 40-60% të faturës totale mujore gjatë sezonit të dimrit nëse këtu  nuk e përfshijmë konsumin e energjisë elektrike për ngrohje.

Mbi të gjitha, ekspertët në KEDS sugjerojnë se bojleri shpenzon më pak rrymë kur kyçet sipas nevojës, sesa kur është vazhdimisht i kyçur.

Kësaj radhe, ata sugjerojnë se si është e mundur të kursehen deri në 15% e faturës totale vetëm përmes menaxhimit të bojlerit.

“Sipas përllogaritjeve të tyre, ne mund të kursejmë prej 80-100 kWh në muaj ose mesatarisht 13%-15% nga fatura totale nëse e ndezim bojlerin gjatë kohës së tarifës së lirë, e cila në dimër është nga ora 22:00-07:00, ndërsa gjatë verës nga ora 23:00-08:00, nëse e ulim temperaturën e termostatit në 55℃-60℃, dhe nëse e reduktojmë përdorimin e ujit të ngrohtë.T’u përmbahemi këtyre sugjerimeve në praktikë që të kursejmë në faturat tona dhe të mos e ngarkojmë rrjetin elektroenergjetik të Kosovës”, thuhet në komunikatën e KEDS-it./21Media

Back to top button