Kelmendi: Kroacia ngriti shtab emergjent, kujdes maksimal për të lënduarit

Pas ngjarjes tragjike që ka ndodhur sot në Kroaci, ku kanë vdekur 10 persona, institucionet e Republikës së Kosovës që nga mëngjesi janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet kroate. Kështu ka deklaruar zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Rozafa Kelmendi, e cila ka thënë se autoritetet kroate kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik.
Kelmendi ka deklaruar për Kp se kanë pranuar informata zyrtare se në autobus kanë qenë 69 persona, ku 67 prej tyre kanë qenë udhëtarë, ndërsa dy drejtues të mjetit.
Sipas saj, në mesin e këtyre personave 15 prej tyre janë të mitur.
“Ndërkohë që po presim konfirmimin të vazhdueshme të informatave nga autoritetet në Kroaci deri më tani në këtë linjë udhëtimi kanë qenë 69 bashkatdhetarët tanë, prej tyre 67 udhëtarëve 2 ngasësit e autobusit. Prej tyre deri më tani janë të konfirmuar 10 persona të vdekur që kanë humbur jetën fatkeqësisht në këtë aksident, ndërsa 44 persona kanë kërkuar trajtim mjekësor dhe janë dërguar për trajtim në spitalin e Slavonski Brodit, prej tyre një është dërguar në Zagreb dhe një Gradishtë për të marrë trajtim të mëtejmë mjekësor. Janë 8 persona që janë në gjendje më të rëndë, ndërsa 4 janë operuar dhe gjendja e tyre tash është stabile”, ka deklaruar Kelmendi.
Zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës është shprehur se të hospitalizuarit në spitalin e Slavonski Brodit i ka vizituar ambasadori i Kosovës në Kroaci, Gëzim Kasapolli, për t’u siguruar që ata e kanë trajtimin dhe kujdesin e duhur shëndetësor.
E pyetur rreth identitetit të viktimave, Kelmendi ka deklaruar se aktualisht nuk mund të flitet për këtë gjë pasi po priten të dhënat zyrtare.
“Ministria e Punëve të Brendshme kroate ka ngritur një shtab emergjent dhe janë duke u kujdesur dhe duke bërë përpjekje për të identifikuar të gjithë personat që kanë qenë në këtë linjë në mënyrë që të dalim me informata që janë të konfirmuar, për t’i kursyer familjarët që tashmë janë në ankth dhe të shqetësuar nga dezinformatat e mundshme dhe për të dhënë informata të sakta”, ka thënë Kelmendi.
Edhe për shkaqet e këtij aksidenti, Kelmendi nuk ka pranuar të komentojë duke thënë se do të presin autoritetet kroate që të thonë fjalën e tyre pas përmbylljes së hetimeve.
Ndryshe, kryeministri Kurti është nisur për në Kroaci për të vizituar bashkatdhetarët e lënduar e të cilët po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit. Së bashku me kryeministrin kanë udhëtuar edhe zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia dhe shefi i Stafit të Kabinetit të Presidentes së Kosovës, Blerim Vela.
Numri i kontaktit për të gjithë ata që kanë nevojë për informata rreth situatës apo gjendjes së familjarëve të tyre është: +383 (0) 38 200 76 000./kp

Back to top button