Kemi ligj, por s’kemi lektorë të licencuar, albanologët propozojnë formimin e komisionit

Hyseni: Komisioni do të ishte edhe në dobi të Inspektoratit të gjuhëve

Ka më shumë se një vjet që Ligji për përdorimin e gjuhëve ka hyrë në fuqi dhe i njëjti parasheh punësim edhe të lektorëve të licencuar. Në Maqedoninë e Veriut nuk ka lektorë të licencuar, por që të kemi lektorë të licencuar, duhet të formohet Komision apo Këshill për licencim të të njëjtëve.

Sipas profesorit universitar, Asllan Hamiti formimi i këtij Komisioni do ta hapte rrugën për zbatimin adekuat të vetë Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Për zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, kuptohet se në të gjitha institucionet ku përdoret shqipja, përveç përkthyesve që duhet t’i bëjnë përkthimet nga shqipja në maqedonisht apo edhe anasjelltas, qoftë me shkrim apo me gojë, është nevojshme dhe e domosdoshme që të bëhet lektorë të licencuar”, deklaroi Hamiti.

Në praktikë kanë nisur aktivitetet për formimin e këtij komisioni, pasi siç tha drejtori i Agjencisë, Ylber Sela, është përpiluar plan i cili do t’i dorëzohet Qeverisë pas zgjedhjeve të 12-prillit. Parashihet që Komisioni të funksionojë në kuadër të Agjencisë dhe për anëtarë të ketë profesorë të katedrave të gjuhës shqipe. Ai premtoi se kjo do të bëhet gjatë këtij viti.

Kur është sjellë Ligji për përdorimin e gjuhëve, është lënë zbrazëtira aty dhe nuk kanë parashikuar për licencimin. Pasi institucionet tjera nuk kanë ndërmarrë asnjë hap, atëherë mbetet Agjencisë që të marrë hapa konkret. Kam pasur takime në Ministrinë e Kulturës dhe në Qeveri, dhe ka mbetur që pas zgjedhjeve do të dërgojmë një kërkesë në Qeveri”, tha Sela.

Por, profesori nga Shqipëria, Xhevat Lloshi propozoi që formimi i Komisionit të ndodhë me akte nënligjore të Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Kjo sipas tij, do të definonte saktë edhe përgjegjësinë e çdo institucioni përballë fjalëve dhe fjalive që do të shkruhen në shqip.

Unë do ta krahasoja me mësuesin e gjuhës në shkollë. Si ka mundësi që mësuesi i gjuhës në shkollë të rregullojë punimet e nxënësve të vet dhe nuk ka marrë diplomën përkatëse dhe nuk është i miratuar ligjërisht për ta bërë këtë. Prandaj them se është e nevojshme, por duhet të bëhet hap pas hapi”, pohoi Lloshi.

Formimi i Komisionit do të ishte edhe në dobi të Inspektoratit të gjuhëve, tha drejtori, Fatmir Hyseni.

Unë besoj se Komisioni do të jetë në të mirë të Inspektoratit dhe të Agjencisë për ligjit për përdorimin e gjuhëve”, deklaroi Hyseni.

Në Maqedoninë e Veriut kemi komision për licencim të lektorëve, por vetëm për gjuhën maqedonase. Formimi i tij është paraparë me ligjin për gjuhën maqedonase dhe funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës. Sipas të dhënave, deri tash ky Komision ka licencuar rreth 500 lektorë të cilët veprojnë në kuadër të institucioneve dhe të pavarur, të cilët kanë për qëllim të sigurojnë dhe realizojnë zbatim adekuat të normës standarde të gjuhës maqedonase./TV21

Back to top button