“Shokët më tallin se ha bukë thatë” drama e familjes që jeton në një dhomë me dërrasa

Ditët e ftohta papërballueshme

Emisioni investigativ “BOOM” në RTV Ora solli këtë të premte në rubrikën “Shqipëria pa filtra” historinë e familjes Erstila nga fshati Derstil i Elbasanit.

Katër pjesëtarët e kësaj familje jetojnë në një shtëpi me një dhomë të improvizuar dhe të ndërtuar nga vetë babai i dy fëmijëve me dërrasa dhe llamarinë.

Këto ditë të ftohta janë të papërballueshme sidomos për fëmijët pasi era dhe shiu futen brenda.

“Kam jetuar me vëllezërit e ato me nxorrën nga shtëpia. U detyrova të bëj vetë këtë dhomë, por këtu është shumë ftohtë për fëmijët. Edhe jashtë shtetit nuk shkoj dot për të punuar se kam frikë ta lë familjen vetëm këtu. Fëmijët më ngelën sëmurë. Kush ka mundësi për të më ndihmuar edhe me punë do t’i jem shumë mirënjohës”, rrëfeu kryefamiljari Panajot Derstila: .

Përveç kushteve të vështira ku familja po jeton, mamaja shprehet se ka dy muaj që nuk merr asistencë nga shteti.

“Fëmijët më sëmuren shpesh. Jemi në gjendje të vështirë ekonomike, po i jap fëmijëve vetëm bukë të thatë, se kemi 2 muaj që dhe asistencën nuk na e kanë dhënë”, u shpreh nëna e fëmijëve.

Gjendja ekonomike ndikon dhe tek fëmijët. Ata shprehen se shokët e klasës tallen me ta sepse hanë bukë thatë.

“Unë marr në shkollë bukë të thatë dhe shokët më tallin….Më vjen shumë turp nga shokët. Tani nuk marr më bukë me vete. Kemi frikë kur fryn era natën dhe tunden llamarinat.Shkoj te mami se ajo me qetëson”, tha fëmija./oranews

Back to top button