Bomba alarm i rremë, hapet aeroporti “Adem Jashari”

(Lajm i përditësuar)
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas realizimit të kontrollit në objekte dhe hapësira të Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ka rezultuar se nuk ka ndonjë mjet shpërthyes, dhe se kanosja me mjete shpërthyese ka qenë një alarm i rremë me qëllime të caktuara.
Sipas Policisë, pas përfundimit të kontrollit dhe punëve nga institucionet relevante, funksionimi dhe qarkullimi në aeroport i është kthyer normalitetit.
10:36 – Kërcënim me bombë, mbyllet përkohësisht aeroporti “Adem Jashari” 
Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në orët e paradites ka pranuar një informacion me përmbajtje kërcënuese, për mjete shpërthyese në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Pas këtij informacioni aeroporti “Adem Jashari” është mbyllur përkohësisht.
“Bazuar në këtë informacion, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet relevante, ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme policore, ku për shkaqe sigurie ka mbyllur përkohësisht aeroportin. Me qëllim të hetimit, kontrollit dhe masave të sigurisë, janë angazhuar njësitet relevante, andaj kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë qytetarëve”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Policia ka thënë se do të njoftojë lidhur me zhvillimet e mëtejme deri në hapjen e aeroportit për qarkullim.
Ndërsa, raportohet se njësia Speciale “K9” e deminimit në Policinë e Kosovës ka arritur në aeroportin e Prishtinë pas kërcënimit me bombë.
09:56 – Kërcënim me bombë në aeroport, evakuohen pasagjerët
Një kërcënim me bombë është pranuar në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë.
Kjo ka bërë që të gjithë pasagjerët të evakuohen nga hapësirat e aeroportit.
Këtë e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e APN-së, Valentina Gara përmes një postimi në “Facebook”.
“Konfirmojmë se kemi pranuar një kërcenim me bombë. Udhëtarët dhe personeli janë evakuar dhe janë të sigurt. Ekipet e involvuara në planin emergjent janë duke kryer detyrat e tyre”, ka shkruar Gara./21Media

Back to top button