Kërkesa e Kurtit për 60% “Të mos i ngatërrojë dëshirat me fakte”

Në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit, subjektet politike tashmë kanë intensifikuar veprimet e tyre politike, duke afruar rreth vetës figura të reja politike, takime me qytetarë por edhe tubime partiake. Një tubim partiak në fund-javë mbajti edhe kryeministri në detyrë Kurti, ku u konfirmua si kandidat për kryeministër nga LVV. Kurti në fjalën e tij ndër të tjerash tha se LVV-së në zgjedhjet e 7 qershorit synon 60% të votave.
“Prej shkurtit deri në dhjetor vitin e kaluar u rritëm për 9 për qind, nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor mund të prekim 60 për qind. Nëse punojmë veçse ne dimë, me sinqeritet dhe përkushtim edhe kjo padyshim është e mundur”
Kosova më 7 qershor do t’i mbajë zgjedhjet e 3-ta parlamentare si pasojë e ngërçit politik në të cilin hyri menjëherë pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit të kaluar. Ndërkohë, një rezultat zgjedhor i cili nxori LVV-në, me mbi 51% të votave më 28 dhjetor, nuk mjaftoi për të dalë nga kriza politike, meqë, si pasojë e mos zgjedhjes së presidentit Kosova sërish përfundoi sërish në zgjedhje. Ndërkohë në situatën e krijuar analisti politik Afrim Kasolli, objektivin e Kurtit për zgjedhjet e 7 qershorit po e sheh si një shantazh politik për subjektet e ish-opozitës por edhe qytetarët në Kosovë.
“është një shantazh për subjektet e ish-opozitës por edhe për vet qytetarët se nëse ai nuk i merr 60% vendi përfundon në zgjedhje sërish…”, tha Kasolli për rtv21.
Kasolli vlerëson se Kurti një strategji të tillë kishte përdorur edhe në vitin 2025, kur kërkonte 500 mijë vota. Megjithatë, nënvizon se tashmë situata ka ndryshuar dhe se Kosova përkundër telasheve ekonomike që ka kësaj radhe nuk rrezikon kolapsin ekonomik siç rrezikonte në fund vitin e 2025. Kasolli thotë se Kurti nuk do duhej që t’i ngatërronte dëshirat me faktet.
“Ky strategji të ngjashme përmes presionit dhe shantazhit tek qytetarët e ka përdorur edhe vitin e kaluar. Megjithatë vitin e kaluar i krijua një situatë sepse Kosova nuk e kishte të miratuar buxhetin e shtetit dhe vërtetë rrezikonte kolapsin ndërsa tash jo që është përmirësuar diçka situata por nuk është e njëjta gjendje. Thjesht Kurti nuk do duhej siç e ka thënë edhe vet t’i ngatërroi dëshirat me fakte.”, tha Kasolli.
Ndërkohë, profesori universitar Kolë Krasniqi vlerëson se synimi i Kurtit për të siguruar 60% të votave, në një sistem institucional të brishtë siç e ka Kosova, mund të prodhojë elemente që cenojnë standardet demokratike në vend.
“Situata në Kosovë dallon sepse me një sistem institucional të brishtë që ka Kosova shumë lehtë mund të paraqiten elemente që cenojnë demokracinë në Kosovë. Demokracia parlamentare nuk matet me numra por me mundësinë që krijon për pluralizëm politik, me mundësinë që krijon që opozita të ketë një kontrollë institucional”, tha Krasniqi.
Kosova përfundoi në zgjedhjet e treta parlamentare, pa garancë se do të dalë nga ngërçi i krijuar. Në anën tjetër, kryeministri në detyrë, Kurti në kohën kur po bënte përpjekje për zgjedhur një president të ri, pati deklaruar se Kosova rrezikon të hyjë në një cikël zgjedhjesh si pasojë e mos zgjedhjes së presidentit. Kjo deklaratë nga njohës të çështjeve politike është lexuar si një paralajmërim për thellim të krizës politike në Kosovë./RTV21/21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?