Kërkesat e shqiptarëve të Luginës për Qeverinë e re të Serbisë

Në takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në kuadër të konsultimeve të tij për mandatin e Qeverisë së re, në emër të Koalicionit të Shqiptarëve të Luginës, të përbërë nga Partia për Veprim Demokratik, Partia Demokratike dhe Lëvizja për Progres Demokratik, janë dorëzuar nëntë kërkesa konkrete.
Këtë e ka bërë të ditur deputeti Shaip Kamberi, përmes një njoftimi në rrjetet sociale.
Nëntë kërkesat për Qeverinë e re të Serbisë janë:
1. Zbatim i afatizuar i Planit 7 pikësh, miratuar nga Qeveria e Serbisë më 2013.
2. Ndërprerje e procesit të pasivizimit dhe krijim i një Komisioni Hetimor parlamentar për procesin e deritanishëm, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shumicës parlamentare, opozitës, deputetit nga Lugina e Preshevës, shoqërisë civile; si dhe më lehtësimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.
3. Krijim i një Fondi të veçantë Zhvillimor për Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, si dhe dyfishim i buxhetit të Trupit Koordinues për projekte kapitale dhe subvencionimin e sektorit privat, sikurse sjelljen e investitorëve të huaj.
4. Afatizim për zbatimin e Marrëveshjes për njohjen e diplomave me Kosovën, të arritura në Bruksel më 2011 dhe 2016.
5. Sanksionim ligjor të përdorimit të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve, sidomos përdorimit të termit ofendues “Šiptar”.
6. Intensifikim i dialogut midis Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe të zgjedhurve të Luginës së Preshevës, me lehtësimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian dhe me mbikëqyrjen e ambasadorëve të akredituar në Beograd, pjesë e grupit “Miqtë e Luginës”.
7. Ndryshim dhe plotësim i Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Pakicave Kombëtare, përfshirë nenin 16 al. 2 për përdorimin e simboleve kombëtare.
8. Krijim i një Komisioni Vlerësues Parlamentar të zbatimit “Marrëveshjes së Konçulit”, të miratuar nga Qeveria e Serbisë më 2001, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shumicës parlamentare, opozitës, deputetit nga Lugina e Preshevës, shoqërisë civile, si dhe më lehtësimin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian.
9. Realizim i afatizuar të Marrëveshjes për riorganizimin e Trupit Koordinues nga 2009.
“Lugina e Preshevës ka nevojë para së gjithash dhe njëherësh për zgjidhje politike, jo për poste qeveritare pa ndikim për interesin e përgjithshëm”, ka shkruar Kamberi./21Media

Back to top button