Zjarret shpërthejnë, derisa Evropa përballet me valën e të nxehtit

Një valë të nxehti që po përhapet në të gjithë Evropën po nxit zjarret në Portugali, Francë dhe Spanjë.
Rreth 3,500 zjarrfikës në Portugali po luftojnë me dhjetëra zjarre, pasi temperaturat thyejnë rekorde në pjesë të ndryshme të vendit.
Gjendje më e keqe është raportuar në Leiria, ku 600 njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre.
Valët e të nxehtit janë bërë më të shpeshta, më intensive dhe më të gjata për shkak të ndryshimeve klimatike. Bota tashmë është ngrohur me rreth 1.1C që nga fillimi i epokës industriale.

Adelino Rodrigues, një fermer 77-vjeçar në Leiria, tha se “gjithçka u dogj”.
“Dukej si fundi i botës,” tha ai.
Trupi i një personi u gjet në një zonë të djegur në rajonin verior të Aveiro, thanë zyrtarët.
Kryeministri portugez António Costa tha se temperaturat më të nxehta priten të enjten.
Në Francë, rreth 1000 zjarrfikës po përpiqen të kontrollojnë dy zjarre të mëdha.
Zjarret në jugperëndim të vendit kanë djegur pothuajse 4000 hektarë.
Pjesa më e madhe e Spanjës u vu në alarm të lartë të mërkurën dhe agjencia shtetërore meteorologjike e vendit AEMET tha se disa rajone po “mbyten”. Qyteti andaluzian i Almonte regjistroi një temperaturë prej 45.6C të mërkurën.
Dita më e nxehtë e vitit në Spanjë pritet të enjten.

Më shumë se 70,300 hektarë u dogjën në Spanjë midis 1 janarit dhe 3 korrikut, tha qeveria – pothuajse dyfishi i mesatares së 10 viteve të fundit.
Më shumë se 3,000 njerëz janë evakuuar në Turqi për shkak të një zjarri në gadishullin jugperëndimor Datca.
Evropa ka qenë duke luftuar me temperaturat e larta gjatë gjithë javës.
Në Mbretërinë e Bashkuar, vala e të nxehtit parashikohet të arrijë kulmin të martën, me parashikimet maksimale prej 36C./21Media

Back to top button