Kërkohen hetime për hyrjen e mallrave serbe me mbishkrimin “Kosova Metohiju”

Organet e drejtësisë duhet të marrin masa

Qeveria e Kosovës kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të hetojë autoritetet të cilat mundësuan futjen e mallrave serbe me mbishkrime “Kosova Metohiju”, ngase këto produkte janë në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala ka thënë se organet e drejtësisë duhet të ndërmarrin masa ndaj doganës, dhe ndaj autoriteteve të tjera që kanë mundësuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë me mbishkrime “Kosova Metohiju”. Ai ka kërkuar që deklaracioni i mallrave duhet të bëhet në bazë të obligimit Kushtetues.

“Absolutisht. Vendimi i Qeverisë është shumë i qartë, e obligon Doganën e Kosovës, inspektoratin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, dhe të gjitha inspektoratet tjera, si dhe të gjitha autoritetet e Kosovës, që asnjë produkt nuk guxon as të futet dhe as të jetë në treg, i cili në etiketën e tij, në deklaracionin e tij, nuk i referohet Kosovës ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kushtetutën duhet me zbatuar të gjithë, ky është obligim”, ka thënë ministri Shala.

Ai ka shtuar se Qeveria ende nuk ka marrë masa ndaj doganiereve me suspendim, arrestim apo dënim për shkelje të sovranitetit të Republikës së Kosovës.

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit Haradinaj ka thënë se prokuroria e shtetit duhet të fillojnë hetimet për doganë dhe institucionet tjera që kanë mundësuar hyrjen e mallrave serbe me mbi shkrime “Kosova Metohiju”.

“Ka qenë keq, ka qenë neglizhencë, ka qenë mos kryerje ose mos qëndrim në nivel të institucioneve shtetërore, cila do qoftë. Nuk është mirë që ka ndodhur kjo, por tash duhet institucioni përkatës, prokuroria dhe institucionet tjera që merren me këto punë të vlerësojnë sa është kjo shkelje e rëndë. Por gjithsesi se është shkelje”, ka thënë Shatri.

Edhe nënkryetari i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Shabani ka thënë se për produktet me mbishkrime antikushtetuese, përgjegjësia duhet të bie mbi ata të cilët e kanë e mundësuan.

“Ne e përkrahim vendimin e Qeverisë (për mallrat serbe), i përkrahim edhe masat tjera pas vendimit që ka marrë, kështu që mendoj se përgjegjësia duhet të bie mbi ata të cilët e kanë përgjegjësinë”, ka thënë Shabani.

Biznesmeni, Shaqir Palushi ka thënë se është jomorale nga ana e importuesve në Kosovë nëse ky mall ka qenë i importuar në mënyrë legale. Sipas tij, fajtor për importim të mallrave serbe me këtë mbishkrim e mbajnë edhe kompanitë.

“Sigurisht që Dogana e Kosovës dhe institucionet, konkretisht Inspektorati i Tregut, do të ishin kompetent për parandalimin e këtyre produkteve( me mbishkrim “Kosovo Metohiju”. Fatkeqësisht këto gjëra dalin në pah vetëm në rastet kur bëhet e madhe diçka. Përndryshe, është për keqardhje se si këto mallra kanë ardhur në Kosovë qe dhjet vjet, kur Kosova ka shpallur pavarësinë”, ka thënë Palushi.

Ndërsa, pasi janë lejuar të futen këto mallra me këto mbishkrime anti-kushtetuese, inspektorët po i detyrojnë bizneset t’i heqin këto produkte, të cilat janë paguar nga biznesi dhe i janë paguar edhe tatime shtetit. Mirëpo, se a do t’i kompensojë shteti bizneset për dëmet që tani është duke ia shkaktuar inspektorati, Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit ka thënë se tregtia është biznes që i nënshtrohet rregullave të tregu, dhe në qoftë se kanë bërë shkelje, do të pësojnë dënimin.

“Edhe bizneset janë shtetas të Republikës së Kosovës dhe kur e kanë bërë një importim, ndoshta kanë gjetur çmime më të favorshme dhe i kanë mbyllur sytë. Tregtia është një biznes që i nënshtrohet rregullave të tregu, në qoftë se kanë bërë shkelje, do të pësojnë dënimin”, ka thënë Shatri.

Ndërsa, ministri Shala nuk ka dashur ta komentoi lidhur me kompensimin ose dënimin e bizneseve për produktet “Kosova Metohiju”.

Produktet me mbishkrim “Kosova Metohiju”, kanë rënë në sy të inspektoratit veçmas pas vendimit të Qeverisë për tarifën 100 përqind ndaj produkteve me origjinë nga Serbia dhe BeH.

Qeveria e Kosovës nga 21 nëntori i këtij viti ka miratuar vendimin për ngritjen e taksës në 100% ndaj produkteve të importuara nga Serbia dhe BeH. Ky vendim ka ngjallur shumë reagime edhe nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë serbët në veri të Mitrovicës kanë protestuar disa herë kundër kësaj takse.

Back to top button