​Kërkohen ndryshime të mëdha në ligjin e ri për sport

Nga diskutimet e bëra me përfaqësues të drejtorive komunale për sport, por edhe për drejtues të federatave sportive, Ministria e Sportit ka marrë shumë rekomandime për ndryshime në draftin e projektligjit për sport.

Drafti aktual i këtij projektligji po konsiderohet të ketë shumë të meta që duhen përmirësuar urgjentisht.

Ish-ministrja e Sportit, Vlora Dumoshi, ka thënë se kjo ministri po synon ta marrë kontrollin e plotë mbi federatat.

“Ka shumë probleme në këtë projektligj, sidomos te formimi i agjencioneve brenda ministrisë, pastaj inspektorati për sportin dhe shumë e shumë të tjera të cilat kjo qeveri po dëshiron t’i fus të gjitha nën ombrellën e vet të kontrollit. Ne e dimë që federatat dhe klubet sportive janë të pavarura kështu që faktikisht ne po e shkelim ligjin edhe Kushtetutën në përgjithësi…Të them të drejtën kuorumi ose gjithmonë me vota janë më të shumtë të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kështu në mënyrë arbitrare vendosin për projektligjet dhe i dërgojnë. Unë do të loboj që nëse nuk hyjnë komentet dhe nuk del një ligj, i cili do të jetë i implementueshëm për të gjitha federatat dhe për sportin në përgjithësi unë do të avokoj me krejt mundin tim të avokoj dhe ta rrëzojmë këtë ligj”, tha Dumoshi.

Shasivar Haxhijaj nga Federata e Lundrimit ka thënë se përmes disa pikave të veçanta të këtij ligji po tentohet të cenohet direkt liria e sportit.

“Ato kryesisht kanë të bëjnë me ndërhyrjen që mund të bëhet prej Ministrisë së Sportit në pavarësinë e sportit. Federatat sportive, sporti është i pavarur në bazë të Kushtetutës ose më konkretisht nenit 44 të Kushtetutës, por edhe Ligjit për organizatat joqeveritare në Kosovë. Liria e asocimit është e garantuar dhe nuk mund të cenohet me asnjë ligj tjetër në Kosovë, ajo është e garantuar me Kushtetutë. Ndërsa, në Ligjin për Sport realisht në disa pika të veçanta po tentohet që kjo liri të cenohet. Për shembull themelimi i inspektoratit është ndërhyrje direkt në pavarësinë, ta zëmë me një raport të një inspektori të caktuar mund të mund t’i pezullohet licenca ose edhe veprimtaria e një federate të caktuar, kjo konsideroj është ndërhyrje flagrante dhe është në kundërshtim të plotë me secilin ligj”, ka thënë Haxhijaj.

Sipas tij, ky ligj gjithashtu dobëson edhe fuqinë e Komitetit Olimpik të Kosovës mbi federatat sportive.

“Komitetit Olimpik të Kosovës i janë marrë kompetencat, pothuajse të gjitha. Me ligjin aktual që është në fuqi Komiteti Olimpik konsiderohet si organizata më e madhe sportive, organizata ombrellë e federatave, thuhet që Komiteti Olimpik funksionon në bazë të Kartës Olimpike, në bazë statutit, ligjeve dhe akteve të tjera normative, në këtë rast asnjëra prej tyre nuk përmendet, nuk përmendet që federatat duhet t’i harmonizojnë statutet e tyre me statutin e Komitetit Olimpik dhe po ashtu federatat janë të obliguara t’i respektojnë vendimet, statutet dhe rezolutat e Komitetit Olimpik”, ka thënë Haxhijaj.

Kryetari i Komisionit të Arbitrazhit Sportiv, Eroll Salihu, vlerëson se Ministria e Sportit nuk mund të ndërhyjë në pavarësinë e federatave, pasi në një rast të tillë do të ballafaqohej me Ligjin për Sport që e ndalon rreptë një gjë të tillë.

“Duhet kuptuar që federatat sportive së pari i nënshtrohen Ligjit mbi Administratën Publike, Ligjit mbi Lirinë e Asocimit, unë kam marrë vetë pjesë në hartimin e ligjeve të mëparshme dhe aty garantohet pavarësia e institucioneve, sepse federatat janë shoqatë në parim, ekzistojnë shoqatat, fondacionet dhe institutet në bazë të Ligjit për OJQ-të, federatat janë shoqata sportive dhe janë të pavarësuar. Mirëpo, në momentin kur federatat duhet të garojnë, duhet t’i nënshtrohen Ligjit për Sport, kriteret për licencim i shtron Ministria e Sportit dhe nuk mund të ndërhyjë për arsye se nëse ndërhyn shteti, atëherë mbron edhe Ligji për Sport. Vërejtjet e federatave sportive kanë qenë me vend”, theksoi Salihu.

Pas konsultimeve me të gjitha organizatat dhe komunitetin sportiv në Kosovë, Projektligji i ri për sport do të shkojë në Kuvendin e Kosovës ku pritet të votohet për t’u bërë pastaj ligj i aplikueshëm në vend./kp

Back to top button