Kërkohet lejimi i lëvizjeve për ndërmarrjet furnizuese

OEK dhe OEAK konsiderojnë se kufizimi i lëvizjeve do të ishte goditje e madhe për aktivitetin ekonomik

Pas vendosjes së Prishtinës në karantinë, Oda Ekonomike e Kosovës dhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, kërkojnë nga Qeveria në detyrë që të nxjerrë urgjentisht një udhëzim për të eliminuar paqartësitë që ekzistojnë në mesin e ndërmarrjeve.

“Informatat nga terreni flasin për paralajmërime nga ana e organeve të zbatimit të rendit për kufizime absolute të hyrjeve dhe daljeve në dhe nga qyteti i Prishtinës, andaj nxjerrja e një udhëzimi përkatës do të garantonte trajtim uniform për të gjitha ndërmarrjet”, bëhet e ditur në një komunikatë për media.

OEK dhe OEAK konsiderojnë se një kufizim i tillë do të ishte goditje e madhe për aktivitetin ekonomik të ndërmarrjeve private. Andaj, sipas tyre, është e nevojshme që të përcaktohen modalitetet e lejimit të lëvizjes së punonjësve dhe mallrave, me qëllim të shmangies së vështirësive në furnizim me produkte esenciale për qytetarët.

Back to top button