Kërkohet mbledhje urgjente e Qeverisë për masat mbrojtëse ndaj biznesit

OAK përshëndet vendimet e mbrëmshme të Qeverisë

Bordi i Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) unanimisht kërkoi sot ripërsëritjen e kërkesës së bërë para dy ditëve për marrjen e masave urgjente mbrojtëse për efektet që mund të shkaktohen nga koronavirusi, duke marrë parasysh zgjerimin e shpejtë të kësaj sëmundjeje në vendet e rajonit.

OAK përshëndet vendimet e mbrëmshme të Qeverisë për masat mbrojtëse dhe kërkon që të ketë masa edhe për bizneset dhe punëtorët që do të detyrohen të mungojnë në procesin e punës gjatë ditëve në vijim.

“Kjo pandemi mund të shkaktojë vështirësi financiare qoftë në pagesë të tatimeve, pagave apo kredive. Oda e Afarizmit kërkon që Qeveria të merr masa për shtyrjen e mundshme të tatimeve dhe kredive, ndërsa bizneset që do të pësojnë dëme nga kjo pandemi të gjendet mënyra e kompensimit të tyre”, thuhet në komunikatë.

Qeveria e Kosovës mbrëmë ka marrë vendim për masat parandaluese në funksion të mbrojtjes nga Corona Virus COVID-19. Qeveria ka vendosur që të ndërpritet procesi mësimor në të gjitha nivelet e arsimit deri më 27 mars 2020. Po ashtu, është vendosur që të pezullohen linjat ajrore nga vendet me rrezik të mesëm dhe të lartë deri në një vendim tjetër, si dhe masa të tjera./21Media

Back to top button