Kërkohet paraburgim ndaj shtatë shtetasve turq të kapur me drogë në Han të Elezit
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Ferizaj ndaj shtatë të pandehurve, shtetas të Turqisë, të dyshuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të substancës narkotike.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, më datë 23 Shkurt 2022, rreth orës 12:00 në Han të Elezit, përkatësisht në terminalin doganor, të pandehurit duke vepruar si anëtar të grupit pa autorizim kanë transportuar nga Turqia për në Republikën e Kosovës, substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik, e të cilat substanca kanë pasur për qëllim shpërndarjen, shitjen ose ofrimin për shitje.
Siç thuhet në komunikatë me rastin e ndaljes dhe kontrollit të automjetit transportues, pronë e kompanisë “Alba Trans” është gjetur dhe sekuestruar substancë e dyshuar narkotike e llojit heroinë me peshë të përgjithshme 83.592gram, e cila substancë narkotike për destinacion ka pasur Prishtinën dhe ka qenë e fshehur në brendi të 32 reflektorëve, me të cilën kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e pa autorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Ndërsa, i pandehuri L.T., pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka mbajtur në kontroll dhe posedim një revole të markës “Magnum”, me pesë fishekë, e të cilat me rastin e kontrollit nga ana e policisë i gjendet dhe sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.
I pandehuri tjetër O.V., pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka mbajtur në kontroll dhe posedim një revole të markës “Walther”, që me rastin e kontrollit nga ana e policisë i gjendet dhe sekuestrohet, me të cilën ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Seanca dëgjimore lidhur me këtë rast do të mbahet neser pasdite në Gjykatën Themelore ne Ferizaj./21Media