Kërkohet paraburgim ndaj tre personave që i hapën përsëri bastoret

Nuk e përfillën ndalesën nga ATK-ja

Prokuroria Themelore në Gjilan, gjatë ditës së djeshme ka ndaluar të dyshuarit me inicialet A.D., F.B. dhe I.G., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të veprës penale ‘’Heqja apo dëmtimi i vulave zyrtare ose i shenjave’’ të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Për të dyshuarit po kërkohet edhe paraburgim.

“Më 2 mars 2019, i dyshuari A.D., punëtor në bastoren ‘’Euro Loto’’, në Gjilan, duke zbatuar urdhërin e kundërligjshëm të menaxherit të tij, ka hequr dhe dëmtuar shiritët – shenjat zyrtare, të cilat ishin vendosur më 1 mars 2019, nga Adminitrata Tatimore e Kosovës, për shkak të zhvillimit të veprimtarisë pa licencë, në atë mënyrë që pasi heq dryrin dhe dëmton shiritët zyrtar, hyn në lokal dhe zhvillon veprimtarinë e lojërave të fatit, pa përfillur ndalesën nga ATK-ja”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ndërsa, të dyshuarit F.B. dhe I.G., njëri më 1 mars 2019, ndërsa tjetri me 2 mars 2019, në bastoren ‘’Eco Bet’’, në Gjilan, veprojnë në të njëjtën mënyrë, duke zbatuar urdhërin e kundërligjshëm të menaxherit të tyre.

Prokuroria, sot ndaj tyre ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën kompetente në Gjilan, në afat prej 30 ditësh.

Të përfshirë në këtë rast janë edhe dy të dyshuar tjerë, të cilët gjenden në arrati./21Media

Back to top button