Kërkohet përgjegjësi dhe dorëheqje, protesta në Tetovë për tragjedinë në Spitalin modular

 
Protestë për të kërkuar përgjegjësi dhe dorëheqje pas djegies së spitalit modular në Tetovë ku jetën e humbën 14 qytetarë.
Protesta filloi nga qendra e qytetit të Tetovës, ku njëri nga protestuesit na tha se po e ngrit zërin pasi që nuk ka siguri në spitale dhe kërkoi dorëheqjen e ministrit dhe të gjithë personave përgjegjës.
 “Nëse spitalit i ka humbur siguria nuk mbet për ne qytetarët e Maqedonisë. Në rastin e kërkojmë më shpejtë se kemi familje, kemi shoqëri, jo se na ka ndodhur ne në familje por çdo qytetari të Maqedonisë, ne në media nuk shohim se kanë dhënë ndonjë deklaratë, partitë duhet shkarkohen edhe të japin dorëheqje sa më shpejtë”, tha një protestues.
Protestuesit marshuan deri te Komuna e Tetovës ku njëri nga organizatorët mbajti edhe një fjalim.
“Zëri ynë nuk është i fuqishëm, se po të ishte zëri ynë i fuqishëm atyre nuk do u dridhej jo vetëm veshi por edhe kolltuku, edhe këmbët ku janë zhytur. Si në bazë kësaj që ne jetojmë imperativi i kohës është që kjo klasë politike bolshevike të përmbyset sa më parë dhe duhet të kuptohet si një obligim qytetar sa më të sigurt. Këtyre qytetarëve u ka rënë truri në gropën septike prandaj mos prisni më shumë se sa pisllëqe”, u shpreh Blerim Ahmeti – organizator.
Duke u larguar nga Komuna, në drejtim të objektit hodhën vezë.
Ndërkaq në spitalin e Tetovës mbajtën një minutë heshtje.
Kur morën rrugën drejt selisë së Bashkimit Demokratik për Integrim, protestuesit u penguan nga një kordon policor. Kërkuan rrugë alternative, e kishte raste edhe kur u konfrontuan me policinë, ndërsa arritën të thyejnë kordonin e mbajtësve të rendit.
Në një rrugë tjetër disa protestues qëndruan para kordonit të policisë, ndërsa nga forcat e shumta të policisë dhe numri i vogël i protestuesve bëri që situata të shkojë drejt qetësimit. Një numër i protestuesve më pas për disa minuta bllokuan edhe rrugën Tetovë-Gostivar./21Media

Back to top button