Kërkohet që komunat që kanë operime minerare të marrin 20 % të tantiemës

Komisioni për Zhvillim Ekonomik i dha mbështetje propozimit të vet

Komisioni për Zhvillim Ekonomik ka shqyrtuar raportin me rekomandime për Projektligjin për Miniera dhe Minerale, ku është kërkuar që të gjitha komunat, në të cilat zhvillohet aktivitet minerar, ta marrin 20 përqind të tantiemës.

Sala Berisha-Shala, kryetare e këtij Komisioni tha se kanë kërkuar që 20 përqind e rentës të ri-alokohet nga buxheti qendror për buxhetin e komunave, ku zhvillohet aktiviteti minerar, i dedikuar në mënyrë specifike në zhvillim të komunitetit, në fushën e mbrojtjes së mjedisit infrastrukturës sportit, shëndetësisë dhe arsimit.

Ndërsa tha se këtë dispozitë ligjore e kanë dhe dy ligje tjera, ai për Trepçën dhe Ligji për Obiliqin.

Edhe pse një gjë të tillë, e ka kundërshtuar Komisioni për Buxhet dhe Financa, Komisioni për Zhvillim Ekonomik i dha mbështetje propozimit të vet, që 20 përqind e tantiemës t’i ndahet komunave ku ka operime minerare.

Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami tha se nuk pajtohet që të futet në Ligjin për Miniera dhe Minerale, që secila komunë ta ketë të drejtën e ndarjes 20 përqind të tantiemës.

Ndërkaq Mimoza Kusari – Lila tha se duke pasur dhe një përvojë si kryetare komune, është pro që komuna të kenë fonde më tepër dhe për trajtim të hapësirave dhe mbetjeve qoftë minerare apo industriale.

Ndërkaq Dardan Sejdiu i PSD-së tha se nëse ky ligj do të trajtohet kështu në Kuvend, do të kenë telashe të jashtëzakonshme.

“Nëse kështu e trajtojmë këtë ligj në kuvend do të kemi telashe të jashtëzakonshme. Sepse atëherë kjo nuk do të jetë ligj për miniera dhe minerale ma, por do të jetë ligj se qysh i trajtojmë minierat dhe mineralet në një pjesë të caktuar dhe qysh i trajtojmë në një pjesë tjetër të caktuar”, tha ai.

Ndryshe, Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ka votuar dhe Raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2017.

Back to top button