Kërkohet sërish lirimi i përkohshëm i ish-krerëve të UÇK-së

 

Mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, sërish kërkoi lirimin e përkohshëm të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në konferencën e pestë statusore pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, avokati i Thaçit, Pierre-Richard Prosper, tha se me mbajtjen në paraburgim të klientit të tij, pa e ditur saktë se për çka po akuzohet, ai po privohet nga prezumimi i pafajësisë.

Ky reagim i avokatit të Thaçit, erdhi pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se hetimet ende po vazhdojnë dhe parashikojnë të vazhdojnë “deri në një të ardhme të parashikueshme”, duke shtuar se disa materiale planifikon që t’i nxjerrë në muajin shtator.

Megjithatë, prokuroria tha se së fundmi, pala mbrojtëse nuk e ka shfrytëzuar të drejtën që të bëjë parashtrime për lirim të përkohshëm. Mbrojtja tha se është duke përgatitur kërkesat për lirimin e klientëve të tyre dhe gjykatësi tha se do të shtyjë afatin deri më 31 maj, në mënyrë që avokatët të mund të parashtrojnë kërkesat e tyre.

Avokati i Veselit, Ben Emmerson tha se ishte pikërisht prokuroria që fillimisht kishte thënë se deri në shtator do të jetë gati që të nisë gjyqin.

Ai madje tha se Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë juridiksion që të gjykojë veprat për të cilat akuzohen ish-krerët e UÇK-së.

Emmerson tha se me këtë ritëm mund të parashikohet që prokuroria të jetë gati për gjykim deri në mesin e vitit të ardhshëm.

Back to top button