Këshilli i Prindërve: Dënojmë çdo formë të dhunës, të aktivizohet dialogu social

Kryesia e Këshillit të Prindërve e Kosovës është takuar sot në mbledhje të jashtëzakonshme.
KP i Kosovës ka thënë se “dialogu social duhet të aktivizohet dhe të mirëmbahet si mjet për afrimin mes të gjitha palëve dhe për të tejkaluar krizën”.
“Kundërshtojmë dhe dënojmë çdo formë të dhunës të kujtdoqoftë. Trekëndëshi mësimdhënës, nxënës e prindër duhet të mirëmbahet me kujdesin dhe respektin më të lartë. Arsimi në Kosovë është në pikën më të rëndë që nga paslufta dhe kërkon trajtim të veçantë prej qeverisjes dhe të gjitha palëve. Iu bëjmë thirrje prindërve të përmbahen për momentin nga tensionimi i situatës dhe çdo pakënaqësi ta shprehin pa krijuar tension mes palëve. Fëmijët kanë të drejtë kushtetuese për edukim dhe arsimim dhe prindërit janë palë e rëndësishme e procesit mësimor andaj dhe duhen dëgjuar e pranuar si palë kyçe”, bëhet e ditur në deklaratën e KPs-së
KP ka thënë se nxënësit dhe prindërit duhet të organizohen për të mbrojtur të drejtën e tyre kushtetuese për kujdes, edukim e arsimim publik në çdo nivel.
“Institucionet shtetërore obligohen të mbrojnë të drejtën kushtetuese të fëmijëve me çdo mjet ligjor. I sugjerojmë Ministrisë së Arsimit të rishikojë kalendarin e vitit shkollor pasi po sjell huti dhe konfuzion tek prindërit e fëmijët”, vazhdon shkrimi i KP-së.
Kryesia e KP e Kosovës ka njoftuar se do të mblidhet fundjavën që vjen për të shqyrtuar situatën dhe për të dalë me propozime për t’u kthyer nxënësit në shkollë./21Media

Back to top button